Nga Ledi SHMAKU SHKRELI
Sonte është dita e Shna Ndout! Na ndihmoftë të gjithëve me ç’ kemi për zemër! Kujtimi im i kthjellët sot shkon për Padër Zef Pllumin, i cili, ne vjetin 1991 së bashku me padre Ernesto Carolin e Antonianeve të Bologna- s, u vu të rindërtonte nga themelet kët vend kulti e mrekullish të botës sonë shpirtnore. Nji lutje të veçantë sot edhe për françeskanët e këtij vendit tonë, të mëdhenjtë fretnit e vogjël!
Më poshtë po sjell një kallxim nga Padër Zefi mbi ri-shtegtimin e parë të shqiptarëve në Sebaste të Laçit në 13 qershor 1990, kur regjimit ende s’i kish lujtë trolli nën vete. UBI SPIRITUS DOMINI, IBI LIBERTAS! Na priftë e na ndihmoftë Shna Ndou!
“Më dt. 13 Qershor 1990 nga të gjitha anët e Shqipnisë vershuen besimtarët e të gjitha feve për me lutë të Madhin Zot e Shejtin Shna Ndue.Atë ditë nuk pat fuqi me i pengue as policia as organizatat e rinise komuniste. Mali i Shna Ndout në Sebaste u mbush plot me njerz, aq sa udhëheqja e partisë u shqetsue, dhe urdhnoi njerzit e vet që të vejshin në dispozicjon të gjitha mjetet e komunikacjonit, jashta çdo orari, mjaft që populli i mbledhun aty të shpërndahej sa ma parë. – Radio Tirana nuk mund e mshefte këte ngjarje të jashtëzakonshme në Shqipni dhe dha lajmin gënjeshtar:
“Në malin e Laçit, dje, u organizue nji piknik i madh popullor nga të gjitha anët e Shqipnisë, ku muerën pjesë mbi gjashtëdhetëmij veta”. Ndërsa P. Leon Kabashi, plak 86 vjeçar, i cili shkoi aty i përcjellun prej shumë shtegtarve shkodranë, i lutun prej popullit që të tregonte nji mrekulli të Shna Ndout ai u tha:”Po pse? Cka kërkoni ju ma tepër? A nuk asht kjo nji mrekulli e madhe që unë , plak 84 vjeçar, me ju të gjithë të gjindemi sot këtu të bashkuem për me lutë Zotin e Shejtin Shna Ndue?” – P. Leoni, mbasi i bani nji lutje Shejtit Shna Ndue u suell e bekoi të gjithë popullin; mandej u tha:
“Zoti e Shejti Shna Ndue ua plotsoftë dishirin!”. Dishiri i të gjithve ishte liria. Me të vërtetë, mbas aq vitesh të kalueme nën zgjedhën e robnisë ma poshtnuese të ndërgjegjes, kjo kje e para ditë që populli guxoi me kërkue së paku aq liri sa me lutë Zotin. Prandej për ne shqiptarët, pa dallim besimesh, ky vend e kjo datë e 13 Qershorit, janë edhe ma të shejta: Në krye të gjashtë muejve populli shqiptar hyni në rrugën e lirisë” – nga At Zef Pllumi OFM. /Publikuar në Facebook/