Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë. Aktori i madh i humorit shqiptar, që me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike dhe është mjaft i dashur për publikun. Në intervistën për gazetën “SOT”, Zef Deda “Mjeshtër i Madh” thotë se në aktivitetin e tij artistik të gjitha rolet i ka dashur dhe vlerësuar. Ai shprehet se ka punuar me regjisorë dhe krijues të njohur, duke dhuruar më të mirën te publiku.
Por për aktorin e madh të humorit shqiptar, këtë kohë është problem mungesa e vëmendjes ndaj artit dhe artistëve. Sipas tij, Ministria e Kulturës duhet të jetë në pranë artistëve, artit dhe kulturës. Zef Deda një nga komedianët më të mirë të vendit është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Ka punuar për më shumë se 40 vite në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ai gjithashtu gjatë këtyre viteve ka interpretuar në komedi të suksesshme si “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra”, “Lufta dhe paqja pa pilaf…”, etj.
Aktori Zef Deda në vitin 1967 vlerësohet “Aktori më i mirë” në Festivalin e Estradave Amatore në Vaun e Dejës, merr titullin “Laurat i Republikës së Shqipërisë”. Në Estradën e Ushtarit nderohet me urdhrin “Naim Frashëri i tretë”, në Estradën Profesioniste të Shkodrës urdhri “Naim Frashëri i dytë”. Më vonë “Laurat i Republikës” dhe shumë shpejt, pasi mori edhe “Naim Frashërin e Artë” në vitin 1986 vlerësohet me titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 2010 vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh”.
-Si po kalojnë këto ditë për ju?
Unë kam pasur më parë probleme shëndetësore, por tani e kam marrë veten. Ditët po i kaloj mes nipave, fëmijëve që më rrethojnë. Po kaloj mirë me shokë e shoqëri, me familjarët e mi. E kam marrë veten mirë tani, por kam mërzi sepse nuk ke se ku shkon. Nuk ke se çfarë bën. Nuk ka aktivitete si dikur, dhe është e trishtueshme gjendja artistike dhe kulturore në vend.
-Ka një vendim që nga 1 korriku do lejohen aktivitetet e teatrove, por me 30 për qind të kapacitetit të tyre me publikun. Ju si e shikoni këtë?
Më vjen keq për njerëzit. Por sezoni nuk ka qenë hapur kurrë me datë 1 korrik, madje mbyllet deri në 15 shtator aktiviteti kulturor artistik. Problemi është se nuk hapet sezoni teatror me 1 korrik. Mund të hapet, por nuk ka programe si duhet, nuk ka koncerte, etj. Vetëm jashtë për të performuar ndonjë aktivitet nëse organizohen artistët.
-Ju në reagimet tuaja jeni shprehur se shteti duhet të jetë më pranë artistëve dhe artit. Si kanë ndikuar politikat shtetërore, sipas jush deri tani?
Shkodra si qytet është më mirë se të tjerët, sepse e ka teatrin dhe artistët janë aty. Por ke qytete të tjera si Tirana që s’ka as teatër e shtëpi kulture si dikur. Dhe në qytete të tjera ka probleme me artin dhe kulturën. Ka mbaruar arti dhe kultura, nuk ka aktivitete. Kur mbaron arti dhe kultura, nuk ke as ku i aktivizon artistët, por nuk e kanë mendjen fare tek ata. Artistët i paguajnë me rroga të vogla, edhe ai që është profesionist merr një pagë sa për të jetuar. Nuk i intereson askujt. I intereson ndërtimi, etj, por jo që të ngrenë artin nëpërmjet talenteve të mrekullueshme, që ka çdo qytet tek ne. Një komb, që nuk e ka këtë përkrahje të artistit dhe të artit nuk mundet me jetuar. Nuk merr dot frymë, jo në gjumë, por është me tepër në asfiksi të tmerrshme. Tek ne nuk bëhet një estradë si dikur, një dramë, etj, sepse edhe nëse duan ta bëjnë artistët nuk paguhen. Nuk investohet për artin dhe kulturën tek ne. Ne kemi talente sa të duash, por nuk investohet si duhet.
-Përmendët estradat që nuk janë më si dikur, por rëndësia e tyre me atë që kanë sjell në jetën artistike?
Në kohën e monizmit, estradën partia komuniste e ka quajtur dhe gazetë folëse e partisë, por në fakt nëpërmjet vijës së kuqe të rrahjes së problemeve të aprovuara nga Komiteti i Partisë, tekstet e çdo gjë. Megjithatë artistët kanë futur talentin e tyre dhe kanë bërë humor. Kanë kënaqur shpirtrat dhe zemrat e këtij populli, në mbarë Shqipërinë. Artistët e estradës i duan kudo. Është një popull që e do artin dhe kulturën dhe ne dikur kemi pasur 15 estrada, që kanë pasur artistë të mëdhenj dhe që nuk vijnë më. Vetë qeveria moniste atë kohë ka investuar si në kapitalizëm, ka çuar paratë për të bërë premierat, që i ka interesuar asaj. Por në fakt populli ka pasur edhe shfaqje, premiera të shumta edhe art, edhe humor sa të duash dhe është edukuar dhe kënaqur. Tani çfarë ndodh? Ikën estradat, ikin dhe teatrot. Më falni, por si ka mundësi ta lësh kështu popullin. Ne kemi pasur 15 estrada me investime të shtetit atë kohë dhe bëheshin premiera. Estradave u mbushet salla me publik. Arti do investime, por jo që ka një fond për estradë dhe nuk i del as për një dekor. Rrogat e artistëve as për të ngrënë bukë nuk dalin. Estradat i kanë zhdukur. Në Shkodër jemi 3 vetë gjallë dhe në pension të tre. Estradat nuk janë më, por aty ku këndohet kënga dhe bëhet humori vjen edhe spektatori.
-Si i kujtoni vitet dikur pranë estradës së Shkodrës me shfaqjet e saj?
Estrada e Shkodrës ka qenë një volum i jashtëzakonshëm humori. Tjetër se ishin problematikat, që u bënin sipas orientimeve të komiteteve të partisë, por artistët ishin të fuqishëm. Estrada profesioniste përbëhej me artistë të mrekullueshëm si Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Jolanda Shala, Gëzim Kruja, Besnik Çinari, etj. Por ato vite dhe në qytete të tjera estradat ishin me artistë të njohur, Aleko Prodani në Korçë, estrada e Beratit me Ceken, estrada e Durrësit me Fadil Hasën e artistë të tjerë, estrada e Vlorës, estrada e Tiranës që ka pasur Skënder Sallakun, Vilson Gjoça dhe shumë artistë të mrekullueshëm, estrada e Elbasanit. Dhe ne në Shkodër kemi pasur artistët e mrekullueshëm, unë jam rritur në dorën e tyre që në fillimin e estradës profesioniste. Nuk mund ta imagjinoj spektatorin shqiptar, sidomos shkodran pa e nuhat një skenë të humorit, sepse e ndjen, e ka pasion, e dashuron, është me ia heq ato dy orë mërzie të tmerrshme që ka kaluar në kohën e monizmit, dhe tani në këtë kohë të thatësirës së madhe ekonomike të jashtëzakonshme e krizë e tmerrshme. Ndaj si mundet, që mos t’ia kënaqësh dot shpirtin popullit?
-Artistë të ndryshëm flasin për problemet që përballen në jetën artistike, dhe kanë kërkuar gjatë pandemisë edhe më shumë vëmendje nga Ministria e Kulturës. Ju si e shikoni Ministrinë e Kulturës?
Unë nuk e di pse e ka emrin Ministria e Kulturës, sepse po të jetë mban lart artin. Ministria e Kulturës ndoshta ka personelin brenda që punon, ka degë në qytete, por nuk ka hapësirë për të ngritur artin dhe kulturën. Ministria e Kulturës duhet të jetë në pranë artistëve, artit, kulturës. Nuk rritet fëmija vetëm me telefona në dorë, por duhet patjetër ta çosh diku, ta rrisësh te kultura dhe arti, te teatri, librat, biblioteka dhe kjo është Ministria e Kulturës.
-Folët për problemet me jetën artistike, por teatri “Migjeni” gjatë pandemisë ka sjellë dhe shfaqje jashtë për publikun. Si e shikoni këtë, sa ka rëndësi?
Teatri “Migjeni” në Shkodër mundohet të bëjë aktivitete edhe në hapësira jashtë tij, duke dhënë shfaqje për publikun. Artistët po mundohen, që të japin maksimumin e tyre.
– Zef Deda, aktori i madh i humorit me dekada aktivitet artistik në skenë, cilat janë rolet më të spikatura të karrierës suaj?
Unë kam shumë pjesë. Kam interpretuar Charlie Chaplin, kam bërë imitime të ndryshme, kam bërë imitime gjuhët e huaja të botës, kam luajtur Kolën e Dritave, kam luajtur Lonin te “Kunati i shokut Xhemal” komedi me një akt në 1985 dhe është shkruar nga mjeshtri Paulin Selimi. Por kam dhe shumë role të tjera, që më kanë mbetur për zemër. Të gjitha rolet i kam dashur dhe vlerësuar. Kam pasur fatin e mirë që kam punuar me regjisorë dhe krijues të njohur, të cilët kanë ditur të na i përshtatin edhe rolet që të kishim sukses. Por është e çuditshme, që i madh dhe i vogël mi kujton shumë rolet, që kam lozur. Ata i shohin dhe mua mi kujtojnë shpesh. Tani unë jam në pension, por nëse do më thërrasin sërish do të shkoj të jap kontributin tim në teatër patjetër. Unë nuk mund të jetoj ndryshe, nuk mund të jetoj pa skenën. Dua të jem në skenë. Isha duke dhënë shfaqje më fëmijët kur u përballa me problemet shëndetësore, por tani e kam marrë veten mirë.