Patrik Shik ishte heroi i Republikës Çeke në ndeshjen e sotme kundër Skocisë në Kampionatin Europian, duke i siguruar skuadrës së tij tre pikët e para në këtë aktivitet e afruar ndjeshëm me kalimin e turt. Sulmuesi shënoi të dy golat e suksesit 2-0 të përfaqësueses së tij,duke vendosur fatin e kësaj sfide.
Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe në pjesën e parë të dy skuadrat krijuan raste të njëpasnjëshme për të shënuar, por goli do të vinte vetëm në fund të këtij fraksioni me Patrik Shik, i cili gjeti rrjetën me kokë pas një krosimi nga e djathta.
Në pjesën e dytë, Skocia iu afrua menjëherë golit, e ndalur nga traversa e më pas nga Vaçlik i vëmendshëm. Kur dukej se Skocia po i sillej rrotull golit, erdhi kryevepra e Shik që vulosi gjithçka. Pas një aksioni të thyer të skocezëve, topi mbërriti te sulmuesi në gjysmëfushë dhe ky i fundit gjuajti nga distanca duke parë jashtë zonës portierin kundërshtar. Topi përfundoi në rrjete pas kësaj goditje nga 50 metra dhe Republika Çeke dyfishoi shifrat, duke marrë një fitore që e ndihmon për të ecur më tej në turne, në një grup ku gjenden edhe Anglia e Kroacia. /vipsport.al/
Skoci-Republikë Çeke 0-2
Shënues: 42′ Shik, 52′ Shik