Rastet e para të “gripit të shpendëve apo të pulave” në Shqipëri, janë evidentuar. Zona ku janë shfaqur rastet e para, është në Shqipërinë e Mesme. Megjithatë, situata nuk është aq e mirë dhe mënyra më e mirë është parandalimi i përhapjes. Për këtë arsye, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ikonomi ka shpërndarë një urdhër.
Është një urdhër që detyron edhe njesitë e qeverisjes vendore të urdhërojnë ndalimin e tregtimit të shpendëve në mjedise të hapura apo edhe ne tregjet e gjësë së gjallë. Lidhur me këtë urdhër, Bashkia e Shkodrës ka bërë edhe njoftimin përkatës për fermerët, mbarështruesit e shpendëve por edhe qytetarët:
“Në zbatim të Urdhrit Nr. 243, datë 08.06.2021 të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Zj. Milva Ikonomi “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla”, duke nisur nga dita e nesërme, datë 15 qershor 2021, në territorin e Bashkisë së Shkodrës ndalohet:
Tregtimi i shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin në administim të Bashkisë Shkodër. Ky ndalim do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë dhe zbatimi do të monitorohet rigorozisht në terren nga të gjitha strukturat e Bashkisë Shkodër në bashkëveprim me Drejtorinë Rajonale të Sherbimit Veterinar.”, thuhet në njoftim në Facebook të Bashkisë Shkodër.
Jo zyrtarisht mësohet se këto rregulla të reja të vendosura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të jenë në fuqi për të paktën 40 ditë. Më pas, në varësi të situatës do të ketë komunikime të tjera me publikun. /ShkodraWeb/