Dita e katërt e Kampionatit Europian ka dhuruar surprizën e parë të këtij aktiviteti pasi Sllovakia ka mundur me shifrat 2-1 Poloninë e Levandovskit.
Rivalët e Shqipërisë në grupin e kualifikueseve të Botërorit, shiheshin si kandidatë për të kaluar grupin e për të bërë një ecuri të mirë në këtë aktivitet me pretendime për të shkuar sa më larg. Por përballë sllovakëve, ata nuk janë shfaqur në nivelin e kërkuar edhe pse luajtën në sulm duke kërkuar fitoren.
Robert Mak me një driblim spektakolar i dha avantazhin skuadrës së tij kur një devijim i dyfishtë dërgoi sferën në rrjetë, me pjesën e parë që u mbyll me shifrat 1-0 sllovakët. Lineti barazoi rezultatin sapo filloi pjesa e dytë e duelit dhe Polonia u hodh në kërkim të
avantazhit. Planet e saj u prishën nga Kryçoviak i cili pak pasi kaloi një orë lojë, u ndëshkua me karton të kuq duke lënë skuadrën në inferioritet numerik e duke ia bërë më të thjeshtë sllovakëve administrimin e lojës.
Pak minuta më vonë, mbrojtësi Milan Skrinjiar shfrytëzoi një hapësirë që iu krijua pas një goditje nga këndi për të shënuar si një bomber i mirëfilltë në zonë dhe për t’i dhënë përsëri avantazhin skuadrës së tij. Nga ai moment, Sllovakia u kthye në hermetike në prapavijë duke lejuar pakgjë për kundërshtarët e duke kthyer në një hije të vetvetes Levandovskin, asnjëherë i rrezikshëm në këtë duel.
Ndaj me vërshëllimën përfundimtare, nisi edhe festa e sllovakëve që morën një rezulatat shumë të rëndësishëm i cili mund t’i afrojë me kualifikimin e mëtejshëm në turne. Kurse për polakët bëhet vendimtare ndeshja e dytë në grup ndaj Spanjës, pasi rrezikojnë t’i japin lamtumirën para kohe turneut. /vipsport.al/
Poloni-Sllovaki 1-2
46′ Lineti / 19’ (ag) Shcczesnji, 69′ Skrinjiar