Kur ofertat e ankandit të privatizimit të Vllaznisë – klubit më të vjetër të futbollit në Shqipëri u hapën më 11 maj, anëtarët e komisionit dhe ofertuesit mbetën gojëhapur.
Klubi historik i futbollit u nxor në ankand nga Bashkia e Shkodrës për një çmim dysheme prej 50.7 milionë lekësh, por një kompani e panjohur në pronësinë e një outsider-i u ofrua ta blinte atë për gati 3-fishin e çmimit.
“U surprizova. Mendova që e bleu tjetër kush,” kujton Alban Xhaferi, sponsori i fundit dhe pretendenti kryesor për privatizimin e Vllaznisë.
Oferta e papritur prej 140 milionë lekësh [1.1 milionë euro] u dorëzua nga kompania e menaxhimit të bareve dhe restoranteve “Joni 5” në pronësi të Emiljano Zhupës, një 29-vjeçar nga Tepelena me banim në Kombinat të Tiranës.
Ndonëse u duk e pakonkurrueshme nga dy pretendentët e tjerë në ankand, kompania “Joni 5” nuk shkoi përtej ofertës spekulative dhe u skualifikua një javë më vonë, pasi nuk kishte ngrirë në bankë garancinë e detyrueshme prej 2% të ofertës.
Spekulimet financiare nuk janë të rralla në botën shqiptare të futbollit, ku ekipet më në emër janë luhatur shpesh mes shkëlqimit dhe rënies deri në prag të shkatërrimit.
Vllaznia fitoi këtë vit Kupën e Shqipërisë dhe doli e dyta në Kampionat, por klubi ka provuar shpesh në kurriz problemet e krijuara prej mungesës së stabilitetit financiar dhe keqmenaxhimit. Ajo trashëgon borxhe prej 2.1 milionë eurosh, ndërsa ka shpenzuar në 5 vitet e fundit rreth 3 milionë euro para publike të investuara kryesisht në rroga lojtarësh.
Përtej barrës financiare, Vllaznia mbart vlera të mëdha emocionale.
“Në Shkodër asht diçka e paimagjinueshme, jetohet me sukseset dhe vuajtjet e kësaj skuadre. Njerëzit e kanë në gen dhe e trashëgojnë,” thotë Taulant Kopliku, gazetar nga Shkodra që punon në Itali. “Shkodra nuk mund të imagjinohet pa Vllazninë,” shtoi ai.
Ndërsa mbizotëron një konsensus i gjerë se privatizimi do ta shpëtojë Vllazninë, ekzistojnë gjithashtu shqetësime në rritje se oferta flluckë e kompanisë “Joni 5” mund të mos jetë problemi i vetëm i ankandit, që mund të rrezikojë të ardhmen e skuadrës.
Dy pretendentët e tjerë, biznesmeni me profesion stomatolog, Almiro Gurakuqi dhe ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj ngrenë akuza se ankandi kishte rregulla për një fitues të paracaktuar.
“Artifica që të lënë shije të hidhur, sikur çdo gjë është e paracaktume,” tha Gurakuqi për BIRN.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi i mohoi akuzat dhe tha se ankandi po zhvillohej në përputhje të plotë me ligjin.
“Zbatimi gërmë për gërmë i ligjit dhe rregullave për ankandin publik është rrugëtimi jonë drejt privatizimit,” tha Ademi për BIRN.
Edhe biznesmeni Alban Xhaferi, i vetmi ofertues i kualifikuar, e mburri ankandin.
“Është gara më e drejtë dhe më transparente që unë kam marrë pjesë,” tha ai, ndërsa citoi orët e gjata të ankandit dhe numrin e madh të dokumenteve të dorëzuara si elementë të seriozitetit.
I pyetur nga BIRN për ofertën e lartë, Riza Kokiçi, i cili u prezantua përmes telefonit si përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Joni 5” tha se ata ishin futur në garë “kot për sport”.
“Ne donim të shihnim nëse mund ta merrnin, por jo se kishim këtë qëllim,” tha Kokiçi për BIRN.
Nga ankimi në ankim
Ekipi i Vllaznisë është krijuar në shkurt 1919 dhe zotërohet në 100% të aksioneve nga Bashkia e Shkodrës. Procedurat e ankandit për shitjen e aksioneve u nisën në tetor 2020, ndërsa kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi tha se ky ishte një detyrim që rridhte nga ligji për sportin.
Bashkia vendosi si çmim dysheme vlerën 50, 794,000 lekë dhe të interesuarit nuk ishin të paktë. Megjithatë, gara ngeci disa herë për shkak të akuzave dhe ankesave formale të mëtuesve të Vllaznisë.
Procedurat e ankandit u sfiduan fillimisht nga Valter Fushaj, ish-president i Vllaznisë në vitet 2011-2016. Më 5 mars 2021, Fushaj iu drejtua me ankesë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP, ku kërkoi shfuqizimin e kushtit që ofertuesi të kishte qenë sponsor në sport gjatë tre viteve të fundit si dhe kërkoi transparencë për detyrimet financiare të cilat do t’i transferoheshin blerësit.
“Rregullat ishin krejt të njëanshme, në krah të një personi tjetër,” tha Fushaj për BIRN.
Ai arriti të fitonte në KPP, e cila e detyroi Bashkinë e Shkodrës që të ndryshonte rregullat e ankandit si dhe të bënte publik borxhin që Vllaznia kishte akumuluar. Vlera e lartë e borxhit e detyroi Fushajn të tërhiqej nga gara.
Në procedurën e dytë të ankandit u paraqitën 3 oferta, të cilat u hapën më 11 maj në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës; kompania “Joni 5” me 140 milionë lekë, Alban Xhaferi përmes kompanive të tij AlbaSport dhe AlbaPhoto me 65 milionë lekë dhe Almiro Gurakuqi dhe kompania e tij “Carpathia Albania” me 45.8 milionë lekë.
Njësia e ankandit skualifikoi kompaninë “Joni 5” për mungesën e garancisë dhe ofertën e Gurakuqit si më të ulët se vlera dysheme e ankandit, duke lënë në garë si pretendent të vetëm Alban Xhaferin.
Por procedura u kontestua sërish nga Almiro Gurakuqi dhe kompania Carpathia Albania.
Në përgjigje të ankimit të Gurakuqit, Bashkia e Shkodrës shpjegon një sërë mungesash formale, përfshi mungesën e një kontrate mes Gurakuqit dhe Carpathia që bënte të vlefshëm bashkimin ekonomik, mungesën e vërtetimeve të gjendjes gjyqësore dhe probleme të ngjashme.
Në ankimin e tij pranë Njësisë së Ankandit në Bashkinë Shkodër në 24 maj, Gurakuqi këmbëngul se mungesat ishin “minore” dhe nuk duhej të sillnin skualifikim. Ai pretendoi gjithashtu në ankesën e tij se oferta prej 45.8 milion lekësh ishte pa TVSH dhe nëse i shtohej tatimi, ajo shkonte në 55 milionë dhe ishte më e madhe se vlera dysheme e caktuar prej bashkisë.
Por Njësia e Ankandit e rrëzoi këtë ankesë në 28 maj dhe i cilësoi problemet e gjetur, përfshi ofertën e ulët si skualifikuese.
Pas këtij vendimi Gurakuqi bëri ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik në 2 qershor dhe e bindi KPP të pezullonte shpalljen e fituesit deri në shqyrtimin e ankesës.
Gurakuqi i tha BIRN se beteja do të vazhdonte gjatë.
“Pas shprehjes së këtyre institucioneve, sido që të jetë vendimi, çështja do të shkojë në gjykatë,” tha ai, duke premtuar një betejë që mund të zgjasë.
Në përgjigje të ankesave, kryebashkiakja Voltana Ademi i tha BIRN se Njësia e Ankandit kishte pasur si porosi të vetme zbatimin e ligjit.
“Kur je pjesë e një gare, siç ishte ankandi publik për Vllazninë, çdokush mund të ketë ide, opinione madje edhe kritika. Fatmirësisht, ka mekanizma që garantojnë deri në fund ligjshmërinë dhe transparencën e procesit,” tha Ademi.
Ademi mohoi problemet, ndërsa premtoi zbatimin e vendimmarrjes së institucioneve që garantojnë kontrollin e përputhshmërinë me ligjin, në çdo fazë ankimi.
Një gropë financiare joshëse
Historia e tranzicionit të ekipeve shqiptare të futbollit ka kaluar përmes problemeve të shumta ekonomike dhe një skeme jotransparente menaxhimi mes bashkive dhe sponsorëve. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, e cila sipas një relacioni të Bashkisë së Shkodrës është keqmenaxhuar.
“Edhe klubet e tjera në zotërim të plotë ose dominues nga bashkitë rezultojnë me kapital negativ dhe me detyrime”, thuhet në relacion, pasi përmendet situata financiare e Vllaznisë.
Pa e përmendur keqmenaxhimin prej saj, bashkia thotë se beson që me një investitor privat “do të përmirësohet menaxhimi dhe eliminohen humbjet e klubit”.
Shumica e tifozëve shkodranë bien dakord me këtë pritshmëri, ndonëse nuk lënë mënjanë keqmenaxhimin.
“Privatizimi e shpëton Vllazninë pa asnjë diskutim,” i tha BIRN gazetari Taulant Kopliku, ndërsa ngre pikëpyetje për destinacionin e fondeve. “Janë hedh jashtëzakonisht shumë, por ku kanë shku? Te Vllaznia jo njëherë,” shtoi ai.
Stoku prej 2.1 milionë euro i borxheve të mbartura e gjeti të papërgatitur ish-presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, i cili u tërhoq më pas nga gara. Ai ironizon konkurrentët e tjerë se nuk e dinë se çfarë po marrin përsipër.
“Nuk ka fitim, zero fitim. Janë ndërmarrje pa sens,” tha Fushaj, ndërsa shtoi se vetëm ndryshimi i ligjeve mund të përmirësonte situatën.
Sipas tij, vetëm ato 4 ekipe shqiptare që hynin në kupat e Europës mund të siguronin një bilanc pozitiv apo pa humbje të mëdha nëse menaxhoheshin mirë, përndryshe situata financiare vetëm përkeqësohet.
“O kanë falimentuar, o janë në gradë falimentimi. Janë në gjendje katastrofike,” tha ai për klubet e tjera në Superligë.
Por çfarë i josh njerëzit e biznesit të futen në këtë situatë që ekonomikisht duket e paleverdishme?
Almiro Gurakuqi paraqiti si justifikim për pjesëmarrjen në garë gjatë një konference për shtyp të qenit tifoz.
“Jam tifoz i çmendur, kam shkuar në ndeshje edhe kur më kanë thënë se kjo ndeshje është lënë,” tha ai, duke pranuar se klubet dyshoheshin edhe për ndershmërinë në fushë.
Xhaferri në krahun tjetër thotë se tani e njeh nga afër gjendjen dhe mendon se mund ta ndryshojë atë. Ai shpreson që një klub si Vllaznia të jetë në gjendje pas dy-tre vjetësh të mbajë veten.
“… nëse menaxhohet mirë, nëse menaxhohen akademia dhe marketingu, mundet të jetojë me vetëfinancim,” tha Xhaferi, duke shtuar se për të arritur në këtë pikë i duhej të investonte 2-3 vjet.
Xhaferi foli gjithashtu për një raport mes rrezikut dhe suksesit dhe kur u pyet se çfarë e shtyn drejt rrezikut përmendi gjithashtu pasionin.
“Je i dashuruar me procesin. Sporti të thith,” shtoi Xhaferi.
Tifozët në ankth
Të dëshpëruar prej vitesh të tëra keqmenaxhimi, tifozët e qytetit të Shkodrës janë unanimë në dëshirën për ta parë klubin privat.
“Procesi i privatizimit është shpëtimi i Vllaznisë i shumëkërkuar ndër vite nga tifozeria shkodrane. Pritet me shumë interes, pasi mund të kthejnë faqen e keqmenaxhimit që i është bërë Vllaznisë në 10 vjeçarin e fundit,” thotë Edi Verri, një prej tifozëve të Vllaznisë.
Njësoj si Verri, edhe shumë tifozë të tjerë ankohen se janë në errësirë për çfarë do të ndodhë.
“Çdo gjë mbahet e fshehtë. Transparenca është zero. Kujtojmë këtu që bëhet fjalë për një pronë publike që është simbol i qytetit tonë dhe jo një biznes privat,”, thotë Ermir Vajushi, që shpenzon çdo javë disa orë të mira në stadium apo duke folur për sportin me miqtë online.
Për shumicën e tifozëve, privatizimi në këtë formë, pa ndonjë kontroll mbi biznesin që merr klubin, nxit frikëra. Tifozët kanë parë ekipe si Partizani apo Dinamo që të shkojnë nga majat e futbollit në kategoritë inferiore, deri në prag të shkrirjes.
“Unë si tifoz dhe si ish-arbitër futbolli në Shqipni dhe jo vetëm, kam kërku që tifozat të përfaqësohen me të paktën 10% kapital pranë klubit të futbollit Vllaznia dhe nuk asht pranu,” thotë Bardh Maçi, ish-arbitër futbolli.
Dëshira të ngjashme shprehën edhe tifozë të tjerë dhe ish-futbollistë.
Roland Luçi, ish-futbollist dhe ish-trajner i ekipit, thotë se shpresonte që klubi të kishte zgjedhur një shembull privatizimi si ai i Bajernit të Myhniut me tifozët që kanë një masë kontrolli mbi aksionet e klubit.
Por tifozët e pranojnë se nuk mund të ndikojnë në proces dhe për Luçin dhe për të tjerët e vetmja dëshirë është të mos bien në dorë spekulantësh.
“Shpresoj dhe uroj që shembulli i dikurshëm i Partizanit, që mbeti peng disa vite i një kontrabandisti të mos jetë, dhe nuk do të jetë rasti i privatizimit të Vllaznisë,” tha Luçi. /Marrë nga Reporter.al/