“Grerëza e zezë” apo “grerëza aziatike”, prej disa vitesh po shkakton dëme të mëdha në kulturën e geshtenjës në Qarkun e Shkodrës. Ndërsa para disa ditëve, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ikonomi ishte në Reç të M.Madhe për të nisur fushatën e luftës kundër këtij insekti të dëmshëm, Bashkia e Shkodrës është lënë pas dore.
Kjo kuptohet nga kërkesat e përsëritura të Bashkisë së Shkodrës, drejtuar dikasterit, Prefektit të Qarkut dhe Agjensisë Shtetërore të Pyjeve. Shkresa më e fundit, me firmën e kryebashkiakes Voltana Ademi, është e datës 15 qershor 2021.
“Kemi përsëritur për të disatën herë kërkesën për marrjen e masave për dëmtimin nga “grerëza aziatike” e masiveve të gështenjave në territorin e saj.
Në shkresën dërguar institucioneve përgjegjëse si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Prefektit të Qarkut Shkodër dhe Agjensisë Shetërore të Pyjeve, kërkojmë marrjen e masave jo vetëm për vlerësim- monitorim dhe kontroll për kufizimin e përhapjes por edhe luftimin e këtij insekti.
Zona e dëmtuar është zgjeruar më shumë në NJA Pult, NJA Shalë dhe në NJA Postribë, ku sipërfaqja totale është 3000 ha, nga të cilat 40% po dëmtohen.
Dëmtimi i gështenjës sjell një dëm edhe në ekonominë e zonës, e cila siguron të ardhura përmes shitjes së këtij fruti.”, shkruhet në shkresën e Bashkisë Shkodër.