Taulant Kopliku është një nga gezaterët më të njohur shqiptarë jashtë Shqipërisë. Ai punon prej vitesh për programin investigativ “Le Iene” në Italia 1 në vendin përtej Adriatikut. Ditën e sotme, kur ai e kishte planifikuar të vinte në Shqipëri, është përballur me një peripeci jo të vpgël, që përveç parave i kushtoi edhe mjaft stres e anulim të takimeve të planifikuara në vendlindje.
Siç mund ti ndodhë kujtdo, në aeroportin e Bergamos ka kuptuar se pasaporta e tij biometrike i ishte dëmtuar. Faqja plastike e saj, ishte dëmtuar por nuk ishte shkëputur plotësisht nga pasaporta. Natyrisht, dëmtimi ka rënë në sy të punonjësve italianë të aeroportit. Megjithatë, për të bindur për identitetin e tij të patjetërsueshëm e të pamohueshëm, gazetari Kopliku ka nxjerrë një “tufë me dokumente”.
Përveç pasaportës, ka vënë në tavolinë Letënjoftimin elektronik shqiptar (ID), patentën italiane, lejen e qendrimit në Itali (permesso di soggiorno), kartën e identritetit italiane dhe në fund kartën e shendetit (tesserino sanitario) italiane. Kjo mesa duket ka bindur punonjësit e aeroportit të Bergamos dhe pas komunikimit me shefin e tyre, ky i fundit, me të drejtë, ka thënë se duhen pyetur edhe kolegët shqiptarë të Rinasit.
Pasi është komunikuar, nga Rinasi italianëve të Bergamos u është thënë të mës lejohet të kalojë sepse pasaporta është e dëmtuar shumë. Kështu, gazetari Kopliku është detyruar të kthehet, duke humbur përveç 150 euro të biletës edhe kohë, duke fituar stres e anuluar takime të planifikuara në atdhe.
Ironia më e madhe? Pasi nuk i janë pranuar nga Rinasi 6 dokumente elektronike, biometrike, të pafalsifikueshme, do të mjaftojë një letër e thjeshtë në një ambasadë apo konsullatë shqiptare në Itali që ai të lejohet të kalojë, thjeshtë duke i bashkangjitur pasaportës së dëmtuar. Si thuhet në këto raste?! Mirë se vini në Shqipëri! Edhe ti Taulant Kopliku, nëse nuk do të sorollatesh me javë për të marrë këtë letrën e famshme dhe nuk do të kenë mbaruar pushimet pa i nisur…. Me shumë mundësi, një tip leje kalimi e përkohshme, shkurt një letër bakalli para dokumenteve që iu refuzuan sot. Ah po, nëse nuk gabojmë, duhen paguar diku tek 30- 35 euro për ta marrë në ambasadë a konsullatë. Sepse të gjithë e kemi detyrim patriotik të konrtibuojmë për këtë palo- shtet! /ShkodraWeb/