Vllaznia e sezonit të ardhshëm nuk do të ketë shumë nga lojtarët të cilët në edicionin që sapo u mbyll i mahniti të gjithë në Superiore. Shumë lojtarë i kanë dhënë lamtumirën kuqebluve, duke filluar nga Marku, Isaevski, Shehi apo Imeri, teksa kanë zgjedhur të vazhdojnë karrierën në klube të tjera. Një situatë e cila ka sjelle një reagim të ashpër nga Megi Doçi, kapitenia e Vllaznisë për femra e cila është një nga figurat kryesore edhe në përfaqësuesen e Shqipërisë.
Në një status në rrjetet sociale, ajo ka kritikuar ashpër të gjitha ata të cilët sipas saj kishin pabesi duke u larguar nga Vllaznia në një kohë kur vetëm pak muaj më parë i shprehnin dashurinë kësaj skuadre.
“U bënë disa ditë që po shoh shumë largime nga ekipi i Vllaznisë ku ekipi tashmë është në nivele mjaft të mira, djem shkodranë, s’dua të prek të tjerë… Ndjej keqardhje për ta pasi lënë një ekip si Vllaznia dhe largohen te Tirana apo Partizani. Ndjesë të gjithë tifozëve në Tiranë sepse nuk kam asgjë me këto dy ekipe, por e kisha për këto djem pa gjak, pa nder, të lesh ekipin e zemrës. Ashtu bënin dy apo tre muaj përpara, sikur e kishin në zemër.
Kjo është pabesi edhe ndaj tifozëve që brohorasin për ju… Mendoj se largimi në një kampionat më të fortë dhe një ekip të madh ndoshta vlen… Ka 10 vite që mbaj veshur këtë fanellë, edhe pse nga një qytet tjetër. E ndjej krenari që jam pjesë e saj, nder e krenari për mua që kam luajtur në atë qytet… Shpresoj që Gurishta dhe Krymi të jenë besnikë të asaj Vllaznie”, ishte postimi i Doçit.