Policia e Lezhës ka sekuestruar një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, ndërsa i vuri prangat një të riu, për kultivim të bimëve narkotike.
Aksioni policor u krye në vendin e quajtur “Marvalak”, Mamurras, ku ra në pranga shtetasi Xhan Kaçi, 35 vjeç, banues në Mamurras.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në territorin përreth, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.