Mbrojtësi i majtë, Aleksandar Isaevski, pritet të zyrtarizohet këto ditë nga Dinamo si përforcimi më i ri i klubit blu. Panorama Sport” mëson se me mbrojtësin e majtë maqedonas ka një akord dhe tashmë mbetet vetëm konfirmimi i marrëveshjes nga ana e drejtuesve.
Zyrtarisht Dinamo ka prezantuar vetëm Patrik Bardhin sa u përket përforcimeve të verës, paçka se klubi ka mbyllur marrëveshjet me disa futbollistë. Mbrojtësi i majtë maqedonas që shkëlqeu në sezonin e fundit me Vllazninë është një prej tyre dhe pritet të jetë nën urdhrat e Bledi Shkëmbit më 5 korrik, datë kur do të nisë faza përgatitore.
Ndërkohë, burime në klubin blu treguan dje për gazetën se Dinamo është pranë akordit edhe me një mbrojtës malazez, emri i të cilit mbahet ende sekret për shkak se nuk ka marrë letrat nga klubi ku mbylli sezonin.
Gjatë kësaj jave gjasat janë që blutë të prezantojnë edhe emra si Dorian Kërçiku, Marin Abazaj, Enis Gavazaj, Romeo Harizaj, Rimal Haxhiu, Stefen Çinedu dhe Xhuljano Skuka. Dy të fundit janë sulmues që vijnë nga Hajduku i Splitit në Kroaci dhe Korabi në Kategorinë e Parë.
Dinamo ka rënë dakord për blerjen e kartonit sa i përket Skukës, ndërsa nigeriani Çinedu do të vijë si lojtar i lirë.