Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka përcaktuar dje datat e nisjes së kampionateve dhe të gjitha kompeticioneve për sezonin 2021- 2022. Sektori i garave në FSHF kishte propozuar për KE-në që të miratonte nisjen e Kategorisë Superiore më 20 gusht, por një gjë e tillë nuk është miratuar.
Përfundimisht, kampionati elitar shqiptar do të fillojë më 11 shtator, duke bërë që praktikisht skuadrat të kenë një distancë nga fundi i një sezoni te tjetri për më shumë se tre muaj, edhe pse klube si Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi janë të angazhuara në Kupat e Europës dhe do të luajnë ndeshje zyrtare në muajin korrik. Por, pse ndodh ky spostim kaq i madh, në një kohë që mendohej që gjithçka të niste më 20 gusht…?!
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se ky vendim u mor për shkak se institucioni i futbollit ka konstatuar se në disa prej stadiumeve të klubeve të Superiores, punimet për implementimin e sistemit VAR nuk kanë përfunduar plotësisht. Ky sezon është historik për kampionatin shqiptar, pasi për herë të parë do të përdoret teknologjia në arbitrim.
Në këto kushte, FSHF e pa të arsyeshme të merrte maksimalisht kohë, në mënyrë që klubet të realizojnë detyrat për infrastrukturën e nevojshme. Aktualisht, po punohet me intensitet në stadiumet e Kukësit dhe Egnatias, ndërsa ai Kamzës dhe Laçit kanë ende nevojë për plotësimet e nevojshme sa i përket dhomës së VAR-it.
Sezoni 2021-2022 do të startojë më 28 gusht me ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, Teuta-Vllaznia, ndërsa do të përfundojë më 31 maj 2022 me finalen e Kupës. Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë do të startojnë të dyja më 11 shtator, ndërsa kampionati i Kategorisë së Dytë nis më 19 shtator. Nga ana tjetër, Kupa e Shqipërisë do të fillojë më 11 shtator me turin paraeliminator.