Jurisprudenca e fundit e Gjykatës Kushtetuese në pamje të parë ka krijuar perceptimin se po i jep zgjidhje disa ngërçeve institucionale dhe kushtetuese, në raport edhe me të drejtat themelore të njeriut, të cilat për disa vite me rradhë kanë bllokuar funksionimin e sistemit e shtetit të së drejtës në vendin tonë.
Drejtësia e re pas reformimit të Gjykatës Kushtetuese, u ndal fillimisht tek ligji për kompensimin e pronave dhe disa pika të vendimit të Këshillit të Ministrave, duke shfuqizuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të pikave 16/2, 16/4 dhe 18 të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
Më pas kemi çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.Çështja përfundoi në Kushtetuese pasi z. Meta refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.Kushtetuesja në vendimin e saj thekson se “kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit”.
Gjykata Kushtetuese vijoi me vendimmarrjet e bardha edhe në rastin e kërkesës për shfuqizim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 445, datë 28.06.2019 Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, z. Zef Hila, si i papajtueshëm me Kushtetutën.Gjykata Kushtetutetuese pranoi kërkesën e ish-kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, duke shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar.
Ndërsa në çështjen e kushtetueshmërisë dhe pavlefshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, Gjykata Kushtetuese vendosi të legjitimojë shoqatën e bashkive për kërkesën e bërë, por më pas pezulloi gjykimin për ta derguar për opinion amicus curiae në Komisionin e Venecias.
Një vendim tjetër së fundmi, që në pamje të parë duket i bardhë si bora, është shfuqizimi i pikës 3, të nenit 163 të Kodit Zgjedhor. Kjo pikë parashikonte mundësinë e marrjes së mandatit nga kandidatët, të cilët pavarësisht pozicionit të tyre në listë, kishin arritur të merrnin një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi.
Ndërkohë që me vendimin e saj të fundit, Gjykata Kushtetuese u shpreh për rastin e shumëpërfolur të Teatrit Kombëtar, duke vendosur: Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Dhe, po ashtu, shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Por nga ana tjetër, rrëzimin e Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”.
Këto vendime të Gjykatës Kushtetuese shpesh në opinionin publik kanë krijuar idetë entuziaste se:
– Pronarët e shpronësuar padrejtësisht nga regjimi monist, më së fundmi do të kompensohen me vlerën reale të tregut.
– Kryeministri nuk mund të çojë më për dekretim ministra pa plotësuar kushtet, por nga ana tjetër Presidenti nuk mund të refuzojë dekretimin pa arsye bindëse.
– Ish-kryebashkiaku, Zef Hila, mund të rikthehet në detyrën Kryetarit të Bashkisë Vau Dejës meqë shkarkimi u vlerësua antikushtetues nga GjK.
-Zgjedhjet lokale do të përsëriten meqe u legjitimua si palë shoqata e bashkive që kishte kërkuar pavlefshmërinë e tyre si antikushtetuese.
– Listat e deputetëve tashmë janë të hapura 100%, pra do të kemi deputetë ata që kanë marrë më shumë vota.
– Teatri Kombëtar do të jetë aty ku ishte dhe ashtu si ishte, meqe kalimi në pronësi të Bashkisë së Tiranës u vlerësua antikushtetues nga GjK.
Të gjitha këto ide dhe perceptime të opinionit publik me gjasë duket se nuk do të jenë aspak ashtu siç duken, pikërisht se vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese janë të bardha, të pa qeder. Kjo në kontekstin që nuk mund të zgjidhin pasojat e vendimeve antikushtetuese. Kjo jo thjesht nga fakti dhe parimi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund krijojnë norma të reja që të sistemojnë përfundimisht situatat e anti-kushtetushmërisë. Por, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të bardha nga efekti për shkak të parimit të shkruar se: “Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar” dhe parimit të pa shkruar, por që do të konstatohet në dispozitivët dhe arsyetimet e GjK për këto vendime, se: “Djalli fshihet në detaje”… /Nga Florian BJANKU, publikuar në Facebook/