Përmes miqve të përbashkët, 12 vjet më parë mësova lajmin se miku im Engjëll Gjondrekaj, ishte ndarë nga jeta. E mposhti një sëmundje e rëndë, me të cilën u përball gjatë, e të cilën menduam dhe shpresuam se e mundi në një periudhë kur shendeti i tij u përmirësua.
Ata që e kanë njohur, pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, e kujtojnë me respekt Engjellin. Gjatë gjithë jetës së tij, ishte i prirur nga pozitiviteti, mirësia, ndihma dhe mbështetja për të gjithë e veçanarisht atyre që “i trokisnin në derë” për halle e probleme.
Kontributi i tij ka qenë shumë i rëndësishëm në Ndermarrjen e Ujësjellësit Qytet, e cila pikërisht në periudhën e drejtimit nga Gjondrekaj, arriti të vendosë urat e bashkëpunimit të rëndësishëm me qeverinë austriake dhe agjensitë e saj të zhvillimit e mbështetjes ndërkombëtare. Falë kësaj periudhe, ky sherbim hyri në rrugën pa kthim të përmirësimit, investimeve që edhe sot janë të qendrueshme.
Engjell Gjondrekaj kishte kontribute edhe si i zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Shkodrës por edhe si mbështetës i artit, kulturës, eventeve duke mos dashur asnjëherë vëmendjen mediatike apo reklamimin. Sot e kësaj dite, 12 vite nga ikja e tij, pak kush e di se ai ka qenë ndër mbështetësit e aktiviteteve që zhvilloheshin në Shkodër.
Engjelli e donte jetën. U përpoq me të gjitha forcat, falë mbështetjes së jashtëzakonshme të familjes, të afërmëve, qeverisë shqiptare të kohës, që të mposhte sëmundjen e rëndë dhe ta kishim mes nesh. Nuk ia doli, duke ikur shumë para kohe, duke lënë pikëllim e dhimbje tek të gjithë ata që e njohën.
Për ne gazetarët, ka qenë një nga miqtë më të mirë. Edhe kur evidentonim probleme të ndërmarrjes që administronte, asnjëherë nuk zemërohej. Kërkonte me durim e buzëqeshje të sqaronte, të jepte mendimin e tij, gjithmonë duke respektuar gazetarët e mediat në punën e tyre.
Kanë kaluar 12 vite mungesë por të gjithë ne, miqtë e shokët që e njohëm dhe vlerësuam sa ishte në jetë, duhet ta mbajmë gjallë kujtimin e tij. E kemi detyrim. Por sot, kam bindjen se nuk e kujtoj vetëm unë. Janë të shumtë miqtë që karakteri i tij, sjellja e tij, mirësia e tij, kanë lënë pas dhe sot e kujtojnë me respekt, krenari e sigurisht dhimbje. Numri yt i celularit vazhdon të jetë në telefonin tim! Pushofsh në paqen e përjetshme miku im Engjell Gjondrekaj! /Nga Blerti DELIJA/