Përkrah Thomas Brdaric edhe kapiteni Erdenis Gurishta në konferencën për shtypin përpara duelit në Conference League ndaj Shiroki Brijeg. Mbrojtësi shkodran vlerëson kundërshtarin, por beson se ai dhe shokët e tij do të kthehen me një rezultat pozitiv nga sfida e ditës së enjte (8 korrik, 21:00).
“Ndeshjet e Europës janë ndryshe, kënaqësi që marrim pjesë në Europë pas dhjetë vitesh. Kemi ëndërruar gjithë sezonin dhe e kemi merituar. Besoj se do bëjmë një paraqitje dinjitoze, por duhet të presim ditën e enjte. Nuk duhet të flasim në konferenca, duhet të flasim në fushë.
Shiroki? Kemi parë shumë video të tyre. Normalisht që nuk i njohim shumë, por kanë cilësi, kanë disa lojtarë me shumë kualitete. Gjithsesi, edhe ata kanë dobësitë e tyre dhe besoj se do i godasim në pikat e dobëta të tyre.
Do jetë një kundërshtar besoj i denjë i raundit të parë, do shohim edhe ne veten ku jemi. Besoj se mundësitë janë shumë të mira që ta kalojmë turin.
Ndryshimet te Vllaznia? Janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm. Fituam Kupën, dolëm në vend të dytë me pikë të barabarta me vendin e parë, kështu që ata lojtarë kanë pasur shumë merita. Besoj se po afrohen shumë lojtarë të mirë.
Duhet pak kohë të ambientohen dhe të përshtaten me ekipin. Besoj se kjo Vllazni do të jetë shumë e fortë, ndoshta më e fortë se sezonin e kaluar.
LEXONI EDHE: VIDEO – “Më vjen keq për tifozët…”, Brdariç flet para ndeshjes me Shiroki Brijeg: Do të jetë një ndeshje e balancuar…
Ndeshja e dytë festë në Shkodër? Kjo është dëshira pozitive, të gjithë mezi po presim të hapen stadiumet. Unë premtoj që do të bëjmë çmosin që ndeshjen e parë të kthehemi me rezultat pozitiv, që të ketë një arsye më shumë që ndeshje e dytë stadiumi të jetë i tejmbushur.
Të paktën me aq sa lejohet, 30% e stadiumit, dhe të kemi tifozerinë e zjarrtë që na nevojitet për të kaluar turin. Rivaliteti me Fangajn? Çdo lojtar me cilësi dhe kualitet është një vlerë e shtuar për ekipin. Dihen vlerat e Fangajt.
Ai ka pasur një dëmtim që i shkoi shumë gjatë. Na vjen keq, pasi ishte në formë në atë moment. Dëmtimi e la pas, i duhet pak kohë të ambientohet me ekipin. Ai është i mirëseardhur në ekip, çdo lojtar ka vendin e vet“, përfundoi kapiteni i ekipit shkodran.