Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë informacion lidhur me ecurinë e aksionin anti informalitet. Në vijim të fushatës anti- informalitet Administrata Tatimore ka qenë e pranishme në territor për të garantuar zbatueshmërinë e ligjit dhe bashkëpunuar me tatimpaguesit dhe qytetarët në këtë betejë të përbashkët kundër evazionit dhe informalitetit.
Shërbimi i Tatimpaguesit ka kontaktuar më shumë se 13 700 subjekte, ka organizuar më shumë se 1500 vizita këshilluese dhe 7700 takime ballë për ballë. Administrata Tatimore ka mundësuar 2280 kontrolle nga zyra nga të cilat 600 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore.
3023 subjekte janë kontrolluar në territor nga të cilat 650 subjekte janë konstatuar me shkelje.
Gjate kontrolleve në territor rreth 100 subjekte janë penalizuar me mbyllje të aktivitetit kryesisht biznese të paregjistruar apo për mos lëshim kuponi. Administrata Tatimore i fton subjektet e paregjistruara që të mos ushtrojnë aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe thekson se është e vendosur të zbatojë ligjin, me tolerancë zero për të gjithë ata tatimpagues të cilët rezultojnë jo formalë. E njëjta gjë vlen edhe për çdo subjekt tregtar që kryen evazion fiskal.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërkohë inkurajon çdo sipërmarrës të ndershëm si dhe qytetarët, të denoncojnë rastet e paligjshmërisë kudo ku ata i ndeshin ato, përfundon njoftimi. /Monitor/