Kameramani Mark Gjeka, prej disa kohësh ka nisur promovimin e zonës së njohur të Shllakut. Herë pas here, ai pubnlikon video dhe evente nga kjo krahinë, duke evidentuar vlera të shumta që ajo ka trashëguar në shekuj por edhe që po ripërtërihen.
Tashmë, Gjeka ka nisur edhe një tjetër rubrikë interesante. “Një ditë në Shllak me…”, janë minireportazhe, në qendër të të cilave janë lagje apo fshatra të Shllakut, duke vënë në qendër personazhe që kontribuojnë për zonën.
Udhëtimin e tij Mark Gjeka e ka nisur nga Kroni i Madh i Shllakut, vetem 23 km larg nga qyteti i Shkodrës. Kroni i Madh është ndër më të bukurit e Shllakut, me njerëzit ndë më punëtorët. Fshati është i madh dhe ka akoma mjaft banorë që jetojnë gjatë gjithë vitit.
Në fokus të kameras së Mark Gjekës, për shkak të kohës, janë vetëm tre shtëpi të Kronit të Madh, pikërisht ato të Mark Lisit, Lazër Mollës dhe kulla e Dedë Marash Mollës. Jo vetëm fjalët e banorëve por edhe pamjet e fiksuara nga kamera, tregojnë bukuritë e Kronit të Madh në Shllak. /ShkodraWeb/