Ka udhëtuar që ditën e djeshme drejt Bosnjë- Hercegovinës dhe është pranë skuadrës në çdo moment me shpresën se ajo do të nderojë Shkodrën dhe Shqipërinë në këtë përballje të parë të “Conference League” ndaj ekipit Shiroki Brijeg.
Sponsori Alban Xhaferi ka dhënë një prononcim për mediat në prag të ndeshjes së nesërme, teksa është shprehur shumë optimist për një rezultat pozitiv të Vllaznisë, çka do t’i hapte rrugë kualifikimit për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian.
“Sigurisht që do të luftojmë për ta kaluar këtë tur. Kuptohet që nuk do ta nënvlerësojmë kurrësi ekipin Shiroki Brijeg sepse skuadra bosnjake apo dhe të Ballkanit në përgjithësi luajnë një futboll të fortë, një futboll me përgatitje të lartë fizike, por skuadra jonë është e motivuar dhe ne jemi të bindur se do të kemi një rezultat sa më të mirë në këtë ndeshje të parë, në mënyrë që të na lehtësohet puna në Shkodër për kualifikimin.
Vllaznia do luftojë për të marrë një rezultat të mirë në këtë përballje të parë. Ndoshta do të jemi të kënaqur edhe me barazimin, por do të luftojmë për ta zgjidhur ndeshjen si duhet dhe për ta fituar atë”- është shprehur Xhaferi.
I pyetur ndërkohë se si e krahason ekipin aktual me atë të sezonit të kaluar që fitoi dhe Kupën e Shipërisë, ai ka shtuar:
Besoj se është një Vllazni më kompakte por ne do të vazhdojmë të plotësohemi sepse gjatë ndeshjeve të “Conference League” mund të ketë kërkesa për të transferuar lojtarë edhe nga ekipi aktual. Kemi bërë mendoj disa transferime të suksesshme, të cilave do u shihet rezultati shumë shpejt. Megjithatë jemi në fazën e plotësimit të skuadrës dhe mendoj se do të ketë edhe përforcime të tjera në sulm apo dhe mesfushë, të cilat do të bëhen në vijim”.