Disa ditë më parë, kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe u prangos nga policia për abuzime me detyrën dhe korrupsion. Nuk vonoi dhe kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra, teksa gjykata në vlerësim të masës së sigurisë, ka vendosur ta lërë pas hekurave.
Mesa duket, këto zhvillime kanë sjellë që kryeministri i vendit të thërrasë në takim kryebashkiakët, të cilët janë të gjithë të zgjedhur nga Partia Socialiste. Ky takim vjen pas atij me drejtuesit vendorë të policisë, të cilëve u dha ultimatumin 100 ditor.
Takimi i thirrur nga Rama, do të mbahet në orën 12.00 dhe sipas gjasave, sheshi i qeverisë do të parajmërojë edhe ballë për ballë kryebashkiakët e tij, duke mos u afruar mbrojtje përballë SPAK apo edhe agjensive të tjera ligjzbatuese.
Pas arrestimit të Tushes, shefi i SPAK Arben Kraja njoftoi publikisht se është vetëm fillimi. Nuk është çudi që në orët apo ditët në vijim, të ketë të tjera aksione të SPAK, të lidhur direkt apo indirekt edhe me qeverisjen vendore, e cila nga 2019- a, është njëngjyrëshe.