Gjykata Kushtetuese mbylli zyrtarisht sesionin e punimeve të saj. Aktiviteti do të rifillojë në javën e dytë të shtatorit, pak a shumë në të njëjtën kohë me Kuvendin e dalë nga 25 prill 2021 por edhe me dekretimin e kryeministrit e ministrave të propozuar nga Edi Rama. Me 9 qershor 2021, Kuvendi që tashmë ka përfunduar legjislaturën e tij të fundit për këtë mandat, shkarkoi presidentin e vendit Ilir Meta.
Mirëpo, sipas Kushtetutës, nuk mjafton vendimi i vetëm Kuvendit për të shkarkuar një president të Shqipërisë. Përputhja e këtij vendimi me Kushtetutën e vendit, duhet të kontrollohet nga…Gjykata Kushtetuese, pikërisht ajo që nuk u shpreh për vendimin e Kuvendit dhe tashmë prej disa orësh, është me pushime.
Aktualisht, kjo trupë përbëhet nga 7 gjyqtarë nga 9 që duhet të ketë. Megjithatë, mund të marrë vendime dhe në rastin e shkarkimit të Presidentit, duhet të votojnë pro/kundër jo më pak se 5 që vendimi i Kuvendit të miratohet ose rrëzohet. Por kjo është çeshtje tjetër, ndërsa thelbi qendron tek rifillimi në muajin shtator të aktivitetit të gjykatës, Kuvendit por edhe jetës politike aktive parlamentare, tashmë me përfshirjen e opozitës reale që mungon në parlament nga shkurti 2019.
Sipas Kushtetutës së këtij vendi, Presidenti thërret fituesin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe i jep dekretin e miratimit të kryeministër dhe mandatin për të formuar qeverinë e re. Ironia e fatit do të bëjë që Presidenti i shkarkuar nga mazhoranca që duhet të krijojë qeverinë e re, të mandatojë për kryeministër pikërisht liderin e kësaj shumice. Pra, Rama është i detyruar të emërohet kryeministër nga Meta dhe ky i fundit, është i detyruar të emërojë kryeministër atë që e shkarkoi me votat e tij në Kuvend.
Nga ana tjetër, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e barasvlefshme në emërimin e ministrave, Meta nuk është dhe nuk mund të konsiderohet më thjesht dhe vetëm një “noter” i Kryeministrit. Nëse Meta e sheh të arsyeshme, mund të refutojë emrat e ministrave për dekretim. Siç në fakt e ka bërë, me shtyrjen e emërimit të Sandër Lleshit si ministër i brendshëm dhe refuzimin e emërimit të Gent Cakajt si ministër i jashtëm. Por tashmë, më i fortë dhe me tagër më të madh nga Gjykata Kushtetuese.
Presidenti Meta, mund të refuzojë dekretimin e një apo disa ministrave të Ramës. Nuk është aspak çudi që edhe për vetë Ramën, të ketë refuzim. Sepse edhe kryeministri në thelb, është një ministër, antar i një kabineti qeveritar, edhe pse i pari ndër të gjithë ministrat e një qeverie. Shtatori mund të rezervojë zhvillime, deri në surpriza interesante.
Ndarja e pushteteve nuk është realizuar asnjëherë në këtë vend. Pavarësisht tam- tameve krenare mediatiko- publike, çdo herë vendimmarrjet e rëndësishme të institucioneve, janë ndikuar nga politika. Në radhët e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta ka të paktën 4 gjyqtarë që vështirë ti votojnë shkarkimin. Sigurisht, këtë e di edhe vetë Kryeministri, i cili këto kohë, bashkë me eksponentë të tjerë të mazhorancës, nuk po merren shumë me Ilir Metën.
Për hir të realitetit, as Presidenti i Republikës nuk po investohet shumë si kritizer i mazhorancës aktuale që do të jetë e tillë edhe në shtator. Jo vetëm kaq, ai është shfaqur në krah të Erion Veliajt në një ceremoni zyrtare në Budapest të Hungarisë. Edhe në periudha jo të lehta të marrëdhënieve Meta- Rama, Veliaj është shfaqur si negociator, amortizator e shues i konflikteve, të paktën para syve të publikut e mediave. Po ashtu, shfaqja e Monika Kryemadhit në të njëjtin takim në krah të Metës, në pozicionin e refuzuar të Zonjës së Parë, janë shenja të një paqtimi të mundshëm ose të paktën një armëpushimi të përkohshëm.
Të dy palët kundërshtare, janë të dënuara të bashkëpunojnë, të paktën deri me 15- 20 shtator. Por sipas gjasave, mund të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi brenda të majtës, që nuk do të ishte aspak çudi. LSI e Meta, kanë dhënë prova se 4 vite mund të rezitojnë në opozitë, por 8 janë shumë për ta. Pastaj duhen garanci, për sot e për nesër. Lulzim Basha nuk mund ti japë përballë ndërkombëtarëve. Edi Rama po, të paktën tani për tani. /Nga Blerti DELIJA/