Zjarrëvënie e qëllimshme por pezullojmë procedimin penal pasi nuk është zbuluar autori i kësaj vepre penale. Me këtë arsyetim Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur çeshtjen lidhur me djegien e një lokali në Shkodër në ditët e para të dhjetorit të kaluar.
Ka qenë Arbis Vjerdhja, pronari i lokalit të djegur që ka publikuar një dokument, sipas gjasave i lëshuar nga Prokuroria e Shkodrës. Në dokumentin e publikuar, organi i akuzës e pranon se është zjarrëvënie e qëllimshme, madje duke shpjeguar edhe teknikisht se pse është konsideruar e tillë.
Jo vetëm kaq. Në daljen e tij para mediave, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ai ka lënë të kuptohet se zjarri lidhet me pozicionimet e tij si këshilltar bashkiak. Vjerdha ka rikthyer në vëmendje edhe një kërcënim që kishte marrë me telefon nga deputeti Ilir Beqaj, por ka shtuar se nuk beson se pas këtij akti është ai.
Këshilltari bashkiak ka shprehur pakënaqësi edhe për punën e prokurorisë dhe policisë për zbardhjen e ngjarjes, teksa ka thënë se në katin e parë, në asnjerin nga lokalet që u përfshinë nga flakët, nuk ka patur bombula gazi. Arbis Vjerdha ka thënë se kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa ka paralajmëruar se vetëm vdekja mund ta ndalë nga pozicionimet e tij. Sot, ai bëri publik vendimin e Prokurorisë, teksa nuk është e qartë nëse do të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj vendimit të prokuorit, emrin e të cilit e ka fshehur. /ShkodraWeb/