Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas arrestimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme me urdhër të SPAK, që akuzohen se kanë shkelur barazinë në tenderin e uniformave të policisë së shtetit.
Sipas SPAK, gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.
Referuar këtij hetimi, diplomatja amerikane thotë se abuzimi me tenderat është vjedhje edhe e qytetarëve amerikanë, që me taksat e tyre sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë.
Postimi i ambasadores amerikane në Twitter:
Mirë që shohim më shumë veprime të SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik është njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë edhe qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë) për të “fryrë” kuletat e vetes ose të “miqve” të tu. Është krim.