Ish-Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur për herë të parë pas operacionit të SPAK dhe arrestimet e zyrtarëve për tenderin e uniformave të policisë. Në një prononcim për ABCnews ai ka përshëndetur Prokurorinë e Posaçme për hetimet e kryera lidhur me problematikat e tenderit 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar” tha Sandër Lleshaj.
Nga ky operacion u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme nën akuzën e shkeljes së barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera. Sjellim në vëmendje që procedurat nisën 3 vite më parë dhe kapnin vlerën 28 milionë dollarë. Gara është anuluar dhe rihapur, për tu përmbyllur në korrik të vitit të shkuar, kur fitues u shpall një konsorcium të udhëhequr nga kompania D&E, me administrator Ismail Kadiun.
Sandër Lleshaj, i cili ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme në kohën kur është zhvilluar tenderi, thotë se nuk ka pasur asnjë ndikim dhe asnjë rol favorizues.
“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”.
Ditën e shtunë, me urdhër të SPAK u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Sipas organit të akuzës, më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.
Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.