Si sot, më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, prifti që sfidoi regjimin ateist të komunizmit dhe me kremtim të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrëmajit të Shkodrës, më 4 nëntor 1990, sanksionoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Dom Simon Jubani u lind në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare filloi Shkollën Apostolike të jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike, në mars të vitit 1946 kaloi në Gjimnazin e Shtetit. Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs radio-rontgen. Pasi punoi për pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, u mobilizua në ushtri. Në krye të tri viteve u kthye në Shkodër, ku iu paraqit Imzot Ernest Çobës dhe iu lut ta shuguronte meshtar.
Në vitin 1957 u shugurua meshtar dhe u dërgua në Mirditë si famullitar, ku dhe u arrestua. Bëri 26 vjet burg. U lirua më 13 prill 1989 bashkë me klerikë të tjerë.
Më 4 nëntor 1990 kremtoi të parën Meshë publike, në kapelën e djegur të varrezave të Rrmajit, në prani të 200-300 besimtarëve. Më datë 11 të po atij muaji, gjithnjë në kapelën e Rrmajit, kremtoi dhe Meshën e dytë publike.
Ndërroi jetë më 12 korrik të vitit 2011, në qytetin e Shkodrës dhe u varros me shumë nderime të veçanta në Kapelen e vorrezave të Rrmajit nga të gjithë krerët e komuniteteve fetare, nga autoritetet më të larta civile dhe besimtarët e shumtë.
Prifti shkodran dom Simon Jubani qe ndërgjegjja e Kishës katolike dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist. Është një nga njerëzit e meshtarët katolikë shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgjet komuniste duke u qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme, të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore dhe identitetin kombëtar as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.
Kështu mund të pohojmë se pikërisht kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist ateist e ndaloi lirinë fetare, ushtrimin e kremtimin e riteve liturgjike dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990, në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtërore Hyjnore dhe njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë.
Kështu, dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi e i dha hov fitores së lirisë dhe fuqi e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Sot, pra, e kujtojmë ditën e kalimit në amshim të dom Simon Jubanit, njërit ndër protagonistët e pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste.