Komisioni i Venecias ka administruar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Komisioni njofton se kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet më 14 tetor.
Gjykata Kushtetuese në datën 23 qershor dëgjoi pretendimet e palëve për sa i përket procesit për zgjedhjet vendore dhe vendosi që përpara vendimmarrjes, të marrë edhe një ekspertizë ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga një kërkesë e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshme të atyre zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.
Zgjedhjet u mbajtën në datën e shpallur fillimisht me dekret nga presidenti Ilir Meta, i cili tre javë para zhvillimit të tyre, më 10 qershor, vendosi anullimin duke firmosur një tjetër dekret për organizimin e zgjedhjeve në muajin tetor. Zoti Meta e argumentoi vendimin e tij me situatën tejet të tensionuar politike, duke qenë se opozita kishte nisur një seri protestash dhe kishte vendosur bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Por dekreti i dytë i zotit Meta nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.