Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë sot pjesë në homazhet e zhvilluara në nderim të Uran Kostrecit, poetit që ndërroi jetë një ditë më parë. Në një mesazh për mediat Basha e konsideroi Kostrecin një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste.
“Ndahemi nga një njeri me vlera të jashtëzakonshme me një dhimbje të dyfishtë, me vetëdijen që kemi humbur një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste. Një njeri që diti ti përgjigjet dhimbjes, torturave dhe dramave me pastërtinë e shpirtit të tij, me një zemër të madhe që nuk u ngushtua kurrë as në vitet e gjata të burgjeve të komunizmit, as pas daljes prej tyre, por përkundrazi prodhoi veprat më të mëdha e më të thella, dëshmi të dhimbjes së jashtëzakonshme të një populli të tërë.
Shumica e atyre që e kanë njohur nga afër Uran Kostrecin, por edhe atyre që e kanë njohur përmes penës ndjejnë një zbrazëti në shpirt, dhe i lutem zotit të marrësh prehjen e merituar në paqen e përhershme”, tha Basha.
Ndër të tjera kryedemokrati tha se “ne brezit të ri dhe pasardhësve të tyre na lind detyra e madhe patriotike dhe privilegji, nderi dhe pesha e përgjegjësisë për ta mbajtur përherë të gjallë jo thjesht kujtimin e tyre, por kujtimin e guximit e shqiptarëve të rrallë si Uran Kostreci dhe shokët e tij përball terrorit, diktaturës dhe mekanizmave të saj”.