Dhjetëra forca policie në Portin e Durrësit, ku ditën e sotme u kap një ngarkesë me kokainë e fshehur brenda një kontejneri me banane që vinte nga Ekuadori.
Ky është momenti kur punonjësit po punojnë për të shkarkuar të gjithë ngarkesën me banane për llogari të firmës “Banana King”, teksa më pas policia ka rrethuar zonën duke mos lënë mediat të filmojnë. Kontejneri i bardhë me mbishkrimin “Maersk” është vendosur radhë me kontejnerët e ngarkesave të tjera.
Raportohet se ngarkesa kishte mbërritur dy ditë më parë nga Ekuadori, teksa policia e ka mbajtur nën vëzhgim dhe ditën e sotme teksa ka mbërritur shoferi për ta tërhequr kanë ndërhyrë. Deri tani janë gjetur 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.