Nga Ledi SHAMKU SHKRELI
Tani që të përcollën, po të them se më ra një rresht loti. Ishte viti 2002 kur të njoha për herë të parë. Le ta themi që në cektinën njoftunore të një 31-vjeçareje që dy vjet shkollë i kishte bërë në UT “Enver Hoxha”, e mandej i qe përvjedhur Shqipërisë për një dekadë, nuk kishte ende “basen dituror” me e ditë kush ishe ti.
Por ti erdhe vetë. Jo te unë, po aty ku punoja unë. Në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë. Kërkoje diçka në arkiv. Dhe prisje poshte, te roja (nuk t’u ndanë rojet). Dikush erdhi lart dhe pëshpëriti me dorën te goja: “Ka aaardh Uraaaan Kooostreeciii”.
Ngrita kokën: “Kush është ky?”.
Përgjigja: “Ka bërë 20 vite burg. Shkrimtar…”.
Brofa jashtë. Arkivisti tha se do të na ndihmonte dhe unë ndjeva se më qeshi fati ta gjerbja një kafe me ty. Pa gajle të ftova vetë.
“S’ka gjë, pres” – më the.
“Por nuk pres dot unë” – ta ktheva me të qeshur. “Kam prit shumë gjatë të njoh një “të prekur prej verteti”.
Te kafja kujtova se u dashurova me ty, por në fakt isha dashuruar me lirinë që po e nuhatja për herë të parë “një filxhan kafje larg”. Më fole për karkalecat. Të thashë se për qeniet pa vlerë ne tiranasit kishim një proverb “karcaleci n’vorbët t’groshës”. Ma ktheve: “Po, veçse vorba ishte me shpirtra dhe jetë jo me groshë”.
Të pyeta troç: “Uran, si munde me mbet i lirë? Ma thuaj të lutem se nuk ka mbaruar koha kur rriskohet liria”
“Vargjet” – me the. “Vargjet përmendësh më kanë shpëtuar lirinë brenda vetes. Mësova dymijë vargje të poemës sime. Por edhe mijëra vargje nga Dante, Petrarka e gjithë sa doja. Sa më shumë vargje përmendësh, aq më shumë liri në mendje”.
“Uran, po unë jam gjuhëtare” – të thashë. “Jo letrare”.
“Gjuhëtare? Atëherë meso përmendësh këngë popullore, përralla follklorike, proverba të moçme, mëso përmendësh batutat e kalamajve të tu po pate. Mëso përmendësh gjuhën e lirë dhe ke instaluar në kokë Lirinë. Lëre të luftojë mandej, ajo lufton vetë! Liria të thyen si kleçkë, o gjuhëtare! Thyen mure burgu e jo me ca shkarpa të thara gramatikash të sajuara. Mëso Ledi! Mëso përmendësh çdo shprehje gjuhe që nuk ka hyrë në çark”.
“Ah sa po më qetëson” – të thashë. “Se unë dij përmendësh gjithë Festivalin Folkorik të Gjirokastrës. Këndoj çdo këngë dhe për këtë më quajnë të marrë”.
“Këndo Ledi”, – më the, “këndo, recito, rimo, vetëm mos zhurmo. Liria nuk bën zhurmë, bën muzikë”.
Njoha më vonë edhe të tjerë ish të denuar. Por asnjë nuk qe si ty. Ti mbaje era Diell. Dielli i Amshimit t’i rrezatoftë syë e mençur, Uran! Të premtoj se do vijoj të këndoj melodi lirie. Po stonova ndonjëherë, të lutem buzëqesh e mos qesh. Jo të gjithe dimë t’i këndojmë Diellit si ti! /Publikuar në Facebook/