Policia e Shtetit ka arrestuar një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Djelal Ferati, 38 vjeç, me banim në Shkup, i cili po vinte në Shqipëri nga dogana e Morinës. Ai do të ekstradohet drejt Belgjikës, pasi kërkohej nga Interpoli për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “vjedhje”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, Policia Kufitare ka ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Djelal Ferati, 38 vjeç, banues në Shkup.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, Ferati ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bruksel/Belgjikë, pasi autoritetet gjyqësore në Antwerp, Belgjikë e kanë dënuar me 3 vite burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga legjislacioni penal i Belgjikës.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Belgjikës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.