Mbrëmjen e të enjtes, ndeshja Vllaznia- Shiroki Brijeg për Conference League, u ndërpre dy herë. Shkak ishin kapsollat dhe tymueset e hedhur në tribunën D, ku ishte vendosur edhe Tifogrupi “Power12”. Në rastin e dytë, menjëherë pas golit të parë të Vllaznisë, arbitri riktheu ekipet në dhomat e zhveshjes dhe paralajmëroi tifozët.
Ditën e sotme, në emër të Tifogrupit, ka ardhur një reagim në rrjete sociale. Ky tifogrup distancohet nga “1 ose 2 individa që s’ kanë lidhje me ‘tifozllëk’”, ndërsa kërkojnë falje për atë që ndodhi në tribunën ku ata ishin vendosur në ndeshjen për Kupat e Europës në stadiumin “Loro Boriçi”.
PUBLIKIMI NË EMËR TË TIFOGRUPIT “POWER12”
Po ju shkruj në emër të Tifogrupit POWER12. Unë si nji ndër t’ parët e grupit kam mbet jashtëzakonisht i zhgënjyem nga 2- 3 episode që ndodhën mbramë. Si n’ shoqni, si n’ fis, ndoshta edhe n’ familje tan e kena 1 “dele t’ zezë” që hedh poshtë mundin e djersën e gjithçka ta kthen mbrapsht.
Deri para kësaj ndeshje pothuejse tan tifozeria shkodrane, ka pasë fjalë t’ mira për ne sepse ishim të vetmit që edhe gjatë pandemisë e ndjekëm skuadrën n’ çdo qytet të Shqipnisë.
U munduam me ba mirë duke zgjedh tribunën D në mënyrë që të ishim të lidhun me tan tifozerinë, por e pamë që nuk funksionoi. Ishte e randë për shumë djem që e dojnë Vllazninë me zemër kur nigjohenin 90% e tifozerisë tu kërku nxjerrjen jashtë e tu i sha krejt familjen.
Ne emër t’ grupit unë ju kërkoj falje sepse kurrsesi nuk kemi qëllim damtimin e Vllaznisë. 1 ose 2 individa që s’ kan lidhje me “tifozllëk” për pak shkatërruan gëzimin e çdo shkodrani. Edhe nji herë na falni. Deri n’ vdekje T’ DU VLLAZNI❤️💙. /ShkodraWeb/