Për të menaxhuar sa më mirë sigurinë në rrugë, policia ka dalë në të gjitha rrugët me radarë dhe kamera, ndërsa thotë se qëllimi nuk janë gjobat, por siguria në rrugë.
Policia këshillon drejtuesit e mjeteve të konsumojnë alkool por të mos drejtojnë mjetin vetë, pasi Kodi Rrugor ka ndryshuar dhe rregullat janë më të ashpra. Në fakt, kjo thirrje, gati urdhërore “konsumoni alkool” nuk është e duhura.
Gjuha shqipe të jep mundësi të shumta, duke përdorur shprehje të tilla si “nëse konsumoni alkool” por jo duke u sugjeruar “konsumoni alkool”. Në fakt, thirrja duhej të ishte tjetër “mos konsumoni alkool” sepse ai krijon probleme nga më të ndryshmet edhe kur nuk je në timon.
Me shumë mundësi është një lapsus, por një institucioni si Policia e Shtetit, nuk i lejohet duhet të jetë shumë e kujdesshme për një pikë apo presje, jo më për një “ftesë” të tillë “konsumoni alkool” e duke e ilustruar edhe me një krikëll birre.
“Radarë, kamera, dronë, nga Shkodra në Gjirokastër, nga Morina në Rrugën e Kombit dhe Lezhë. Nga Fieri në Vlorë e Sarandë, nga Elbasani në Korçë dhe nga Fieri në Durrës e Tiranë.
Jo vetëm në fundjavë, por çdo ditë, jo statik, por me lëvizje.
Drejtues mjetesh: Mos fluturoni në rrugë e mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur, se kudo ka radarë, dragera kamera, polic rrugor me makina e me makina civile që monitorojnë qarkullimin e automjeteve.
Shijoni fundjavën, por mos abuzoni me rregullat e qarkullimit, konsumoni alkool, por mos drejtoni mjetin vetë, përdorni mjetet e transportit publik, se Kodi Rrugor ka ndryshuar.
Aspak qëllim sasia e gjobave, se ndryshe nuk do t’ju lajmëronim përditë se ku ka radarë, por qëllimi i Policisë është siguria e jetës dhe destinacioni juaj i sigurt! Kontribuo dhe ti bëjmë më të mirën”, thotë policia.