Familja, fëmijët, prindërit, dashuria për Zotin dhe për njeri-tjetrin kanë qenë fjalët kyçe të mesazhit që dha sot kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu në ceremoninë e mbajtur për Kurban Bajramin.
Ai theksoi se një ndër kostot që njeriu i sotëm paguan duke rendur vetëm pas kësaj bote, është lënia pas dore edhe e familjes, ndaj kjo ditë është për të reflektuar dhe për të kthyer vëmendjen tek familja. Spahiu u shpreh më tej se rekordet e dhunës në familje po rriten, ashtu si divorcet, duke bërë thirrje për të marrë më shumë përgjegjësi, për t’u bërë më të ndjeshëm.
“Ushqeni dashuri për hir të Zotit ndaj njëri-tjetrit!”, ishte apeli i tij.
Fjalimi i kryetarit të KMSH, Kurban Bajram 2021
Të dashur motra dhe vëllezër të pranishëm në këtë shesh, dhe të gjithë ju që na ndiqni përmes ekranit, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin. Festën e cila simbolizon dashurinë e robit ndaj Zotit të gjithësisë.
Kjo festë, ashtu si çdo festë në fenë islame, mbart kuptim dhe vlera të larta. Festat në islam nuk janë festa konsumi, janë adhurim dhe gëzim njëkohësisht. Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Zotit. Dhe këtë gjë ne e mësojmë nga vendosmëria e profetit Ibrahim (a.s.).
Nga Durimi i pashembullt i Ismailit a.s dhe qëndrimi heroik nga e nderuara nënë, nëna e Ismailit (as). Zoti në Kuran e përshkruan ngjarjen me këto fjalë:
“Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të ther ty. Shiko pra, çka mendon ti? Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të duruarve!
Në këtë ajet kuranor përveç përshkrimit të ngjarjes, neve na tregohet edhe mëshira e Allahut, Ai (xh.sh.) devotshmërinë e lartë e shpërblen në mënyrën më të lartë.
Të dashur besimtarë, jeta e njeriut është një rrugëkalim nga kjo botë për në botën e përtejme. Ky është ligji i Zotit. Në shoqërinë e sotme moderne, jeta është shumë e vrullshme.
Ky vrull është nguti për të arritur sukses në gjërat materiale, edhe pse të gjithë e dimë se kjo botë nuk do t’i mbetet askujt. Një ndër kostot që njeriu i sotëm paguan duke rendur vetëm pas kësaj bote, është lënia pas dore edhe e familjes.
Dua ta sjell në vëmendjen time dhe tuajën këtë gjë sot. Pasi ditë si kjo e sotmja duhet të na shërbejnë për të reflektuar. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të problemeve të shumta që ndodhin përreth, sidomos ato me familjen. Ne shohim se si çdo ditë rekordet e dhunës në familje rriten. Kjo është e papranueshme.
Statistika të reja që tregojnë se përqindja e divorceve është shtuar shumë. Fjala “divorc” po kthehet në diçka normale për çiftet, sidomos ato me fëmijë.
Motra dhe vëllezër, sipas islamit por edhe çdo studimi sociologjik bashkëkohor dëmi që i shkaktohet fëmijës nga divorci i prindërve është i parikuperueshëm.
Merrni më shumë përgjegjësi, bëhuni më të ndjeshëm, për rehatinë tuaj mos prishni rehatinë e fëmijëve. Një tjetër gjë shqetësuese është sjellja ndaj prindërve. Mos i lini prindërit vetëm, kujdesuni për ta, trajtojini me dashuri e dhembshuri, ashtu sikurse ata janë kujdesur për ju kur ishit fëmijë. Kështu na urdhëron edhe Zoti në Kuranin e madhërishëm.
Të gjitha këto fenomene që përmendëm dhe të tjera janë fenomene që po kërcënojnë dukshëm familjen, janë kambana alarmi të asaj që po vjen. Ne duhet ta ndalim, e kemi detyrim ta ndalim! Ne e dimë dhe duhet ta pranojmë që familja shqiptare po kalon një krizë të thellë. Por nuk ka asnjë mjet tjetër shpëtimi për shëndoshjen e shoqërisë, përveç kthimit të vëmendjes te familja e shëndoshë.
Ne si komb, ndihemi ende superiorë dhe të suksesshëm për sa i përket familjes. Ta ruajmë me fanatizëm këtë gjë. Kurbani është përkushtim ndaj Zotit, është përkujtim dhe forcim i lidhjeve familjare e farefisnore.
Motra dhe vëllezër, familja është bërthama e shoqërisë njerëzore, të gjithë e pranojmë këtë, por çuditërisht, forca tërheqëse e kësaj dynjaje është shumë e madhe, dhe dashur pa dashur, secili nga ne ka shumë për të korrigjuar në këtë drejtim.
Të kalosh më shumë kohë me bashkëshorten/bashkëshortin, me fëmijët, të përkushtohesh më shumë në edukimin e tyre, janë nga gjërat që duhet të reflektojmë. Kurbani është një mundësi që ky reflektim të materializohet dhe të bëhet normë. Zoti thotë në Kuran:
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria juaj. Kështu që mishi i kurbaneve u dha në shërbimin tuaj, që të njihni madhështinë e Allahut pasi iu tregoi rrugën e duhur. Sihariq atyre që bëjnë mirësi”.
Pra, siç shihet Kurbani është devotshmëri ndaj Zotit, përkushtim ndaj familjes. Kurbani është braktisje e punëve të padobishme dhe aksioneve të kota.
Qëndroni pranë principeve të larta hyjnore, qëndroni pranë vlerave të familjes, rrisni përkushtimin dhe kontributin për një shoqëri të drejtë, mos iu ndani të vërtetës.
Ushqeni dashuri për hir të Zotit ndaj njëri-tjetrit. T’i lutemi Zotit të na forcojë në rrugën e drejtë. T’i lutemi që t’i bekojë familjet tona.
O Zot, pranoji kurbanet tona, pranoi lutjet tona, zbuti zemrat tona, na i bëj fëmijët tanë të hajrit! O Zot, shëroi të sëmurët ndihmoi ata që jetojnë në skamje! O Zot, bekoje vendin tonë me paqe, qetësi e prosperitet!
Amin, Amin, Amin! Ju uroj të gjithëve Gëzuar Kurban Bajramin!