Miliarderi amerikan Jeff Bezos, ka realizuar ditën e sotme udhëtimin e ëndrrave, një udhëtim turistik 11 minutësh në hapësirë, me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin.
I shoqëruar nga vëllai i tij, Mark, një pilote 82-vjeçare, Wally Funk, dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen, Jeff Bezzos ka arritur të qëndrojë më shumë se 65 milje mbi tokë dhe udhëtarët patën mundësinë të përjetojnë tre minuta me gravitet zero.
Pasi u ulën në tokë, Jeff Bezos mund të dëgjohej duke thënë brenda kapsulës se ishte “dita më e mirë e jetës së tij” duke i përgjigjur astronautes në kullën qëndrore.
Pilotja 82 vjeçare Wally Funk tha se udhëtimi ishte “i pabesueshëm” ndërsa vëllai i Jeff Bezos, Mark Bezos, tha se ndihej jashtëzakonisht i mire pas uljes. Në bordin e kapsulës ndodhej personi më i vjetër që ka qenë në hapësirë zonja Funk dhe më i riu po ashtu studenti Oliver Daemen.
Bezos ka themeluar kompaninë e tij hapësinore Blue Origin në vitin 2000, për të zhvilluar turizmin hapësinor dhe New Shepard është pikërisht në funksion të realizimit të këtij qëllimi.
Blue Origin pritet të nisë shitjen e biletave shpejt pas fluturimit të Bezos, por kompania nuk e ka zbuluar ende koston e një udhëtimi. Bezos, është themelues i Amazon kompanisë së shitjeve online dhe ka hequr dorë së fundmi nga drejtimi I kompanisë së tij për tu fokusuar pikërisht në Blue Origin.
Sipas revistës amerikane Forbes, pasuria e tij neto kap vlerën e 186.2 miliardë dollarëve.