Rudi Vata është nga të vetmit ish-futbollistë shkodranë që ka kaluar dy vite të karrierës në Qipro, pikërisht në qytetin e Limasolit, aty ku sot skuadra e tij e zemrës, Vllaznia, përballet ndaj AEL-it për turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka qenë dy sezone radhazi në vendin ishullor (1996-1997 dhe 1997-1998) me fanellën bardheblu të Apollon Limasolit, kundërshtarit të “urryer” të AEL-it. Plot 23 vite më parë Vata iku nga Qipro me pengun e mosfitimit të Kupës në finale me Anorthosis, por gjithsesi më pas u transferua në Bundesligë tek Energia Kotbus.
Në prag të ndeshjes AEL Limasol-Vllaznia, “Panorama Sport” kontaktoi shkodranin e njohur, i cili tregoi detaje të pathëna nga aventura në Qipro. Ai foli ekskluzivisht për gazetën rreth shanseve që kanë kuqeblutë për një kualifikim, por edhe për klubet e tjera shqiptare që marrin pjesë në Ligën e Konferencës. Në fund, ish-trajneri bëri një koment edhe për zvarritjen që po i bëhet privatizimit të klubit shkodran.
Rudi, Vllaznia luan kundër një skuadre qipriote në Europë, pikërisht AEL Limasolit. Ju keni qenë dy sezone në këtë qytet, por si pjesë e Apollonit. Çfarë ndjesie keni kur kujtoni aventurën në shtetin ishullor?
Unë kam shkuar në Qipro në vitin 1996, menjëherë pasi u largova nga Sëlltiku. Në atë periudhë ka pasur një rregull në Qipro, që nuk lejoheshin më shumë se tre lojtarë të huaj në skuadër. Ishin vite ku ky shtet i vogël kishte marrë zhvillim të madh dhe tre lojtarët e huaj që vinin në klubet aty, paguheshin sa për 10-15 futbollistë vendës së bashku.
Pra, nga tre të huajt pritej që të ndikonin direkt në fitimin e kampionatit apo të ndihmonin ekipin që të merrte pjesë në Europë etj. Një i huaj atëherë në Qipro shikohej si yll dhe ishte e pamundur të mbijetoje, qoftë edhe 2-3 muaj, nëse nuk bëjë dot diferencën te ekipi që luaje. Kam pasur fatin të kem një trajner të madh serb, Moca Vukotiç, duke kaluar një eksperiencë shumë të mirë me të në Limasol.
Vllaznia sfidon AEL-in, çfarë i pret sot shkodranët në stadiumin “Cirio”?
Vllaznia do të gjejë në stadiumin e AEL-it ultras të tërbuar. Janë shumë fanatikë dhe siç e thashë më lart, në derbin ndaj Apollonit kishte luftë dhe urrejtje. AEL-i i ka shumë agresivë tifozët dhe nëse do të lejohen këto fishekzjarrët, me siguri ndeshja do të ndërpritet disa herë. Tifozët e Apollonit ku unë luaja, ishin më të kulturuar.
Kam emocion të mirë për Qipron, sepse më kanë trajtuar me shumë respekt. Nuk mund të harroj brohoritjet në greqisht të tifozëve: “Ine trelos, ine trelos o alvanos”. Pra, më quanin të çmendur, pasi më donin për atë që jepja në fushë dhe jashtë saj. Të respektohej një shqiptar në Qipron greke në ato vite kishte një probabilitet të vogël, por kjo ndodhi me mua, sepse fitova gjithçka me punë dhe sjellje.
Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes në këtë ndeshje të parë?
Vllaznia ka humbur lojtarë të rëndësishëm si Marku, Isaevski etj. Unë mendoj se sot i duhet të jetë së pari shumë e përqendruar në fushë dhe mos të bëj gabimet në Bosnjë, ku pësoi gola naivë. Në shumë situata kanë qenë të papërqendruar, madje edhe në ndeshjen e kthimit në Shkodër me Shirokin.
Por, duhet të dinë se tani kanë përpara një ekip shumë më të mirë se boshnjakët, që nuk të fal. Fati të ndihmon një herë apo dy herë, por me kualitetet që ka AEL-i, duhet kujdes i madh. Për Vllazninë është arritje e mirë që ka mbërritur në këtë tur, por sërish duhet të provojë shanset, përderisa janë dy ndeshje për t’u luajtur.
Nëse flasim me përqindje, si i shikoni mundësitë për kualifikim?
Vllaznia nuk ka se çfarë humbet fare në këto dy ndeshje. Shkodrën e kanë bërë krenare me përmbysjen ndaj Shirokit, duke kënaqur tifozët pas më shumë se 10 vitesh pa Europë. Në një ndeshje si kjo e sotmja, unë mendoj se në këtë situatë vetëm AEL-i ka për të humbur, jo Vllaznia. Në aspektin e arritjes së objektivave, vetëm qipriotët kanë për të humbur, pasi presioni bie mbi ata si favoritë. Vllaznia nuk futet me presionin e rezultatit dhe këtë duhet ta shfrytëzojë.