Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” dy mjekët Serdi Memini dhe Ervin Sulaj si dhe infermieren nga Shkodra Diellë Macaj.
Dy mjekët janë arrestuar në spitalin e Tiranës të dyshuar për korrupsion pasi dyshohet se i kanë marrë para shtetasit Fatbardh Dyli, babai i të plagosurit Elmidin Dyli i cili u plagos në ngjarjen e rëndë në Velipojë më 27 qershor ku pati katër të vrarë dhe dy të plagosur mes të cilëve edhe 17 vjeçari Dyli. Avokatët mbrojtës Anton Kosteri, Bujar Hoti dhe Landa Marku kërkuan zbutje të masës së sigurisë “arrest me burg” duke thënë se ndaj dy mjekëve nuk ka asnjë provë. Edhe avokatja e infermieres kërkoi masë më të zbutur.
Prokurorja e apelit Pranvera Gruda kërkoi lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër duke thënë se vendimi i shkallës së parë është i drejtë.
Në fund gjyqtari i Apelit, Tonin Sterkaj pasi dëgjoi palët vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të shkallës së parë duke pranuar kërkesën e prokurorisë së apelit. Seanca nisi që ditën e djeshme por u shty për sot për shkak se prokurorja e apelit kërkoi të njihet më gjatë me aktet e ekspertimit dhe pretendimet e palës mbrojtëse.
Avokatët mbrojtës paraqitën një raport vlerësimi të performancës së mjekëve gjatë punës së tyre si dhe gatishmërinë për lënien e garancisë pasurore por që nuk u morën parasysh nga gjykata e apelit e cila vendosi lënien në fuqi “arrest me burg”. E vetmja mënyrë tashmë mbetet ose rekursi në gjykatën e lartë nga avokatët mbrojtës ose kërkesë per zëvendësim mase në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.