Në përfundim të atij që duhet të ishte procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PDSH, në respekt të të gjithë atyre që si antarë, simpatizantë, votues të PD-së apo njerez të lirë që e kanë ndjekur këtë proces, ndihem i detyruar të qartësoj në mënyrë përfundimtare qëndrimin tim.
Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.
Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve.
Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjëtën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u antarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të antarësohen edhe në PD.
Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – sic ndodhi me antarë të PD-së në Shkodër e Korcë – apo u pushua nga puna, – sic ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë.
Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjeter, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm.
Kjo ishte një energji e tepert e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.
Ishte një gabim.
Megjithatë, gjatë gjithë fushatës sime brenda strukturave të demokratëve, kam insistuar se ne duhet të identifikojmë gabimet dhe mbi to të ndërtojmë eksperienca pozitive.
Shpresoj vërtet që do të kemi inteligjencën ta bëjmë këtë.
Kam insistuar që produkti i parë i 23 korrikut, duhet të jetë shëndoshja e Partisë Demokratike. Dje nuk e bëmë, por duhet të fillojmë ta bëjmë që sot.
Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi antarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi.
Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.
Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrushme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi. /Nga Sokol OLLDASHI (RIP), publikuar në Facebbok me 23 korrik 2013, pas humbjes së zgjedhjev për kryetar të PD- së përballë Lulzim Bashës/