Atjon Lopci ishte një i ri vetëm 26-vjeçar. Djali me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) me banim në Itali humbi jetën pas një ndërhyrjeje delikate kirurgjikale në spital, ku mjekët u munduan t’i shpëtonin jetën.
Mediat italiane raportojnë se ai mbeti i plagosur pas një sulmi të befasishëm me thikë nga disa persona mesditën e të premtes. Pak orë pas ngjarjes, ai nuk ia doli dot ta fitonte betejën për jetën.
“Pas një operacioni delikat, gjendja e tij mbeti e rëndë dhe ra në koma. Pak pas mesnatës, vdiq”, shkruajnë mediat italiane.
Tani hetuesit janë në kërkim të dy personave, (ndoshta mund të kenë qenë edhe të tjerë) që akuzohen për vrasje të qëllimshme. Sipas mediave italiane, autorët janë shqiptarë, të vitlindjes 1992 dhe 2000.
Mësohet se Lopci u godit pas shpine me thikë, e u përpoq të largohej prej agresorëve duke ecur për 150 metra derisa u rrëzua në hyrje të një lokali. I riu u gjet nga kalimtarë të rastit që e dërguan në spital. Sipas informacioneve të para, Lopci kishte precedentë penalë.