Një pjesë e futbollistëve por edhe stafit teknik të Vllaznisë, kaluan një situatë shëndetësore jo të mirë pak orë para ndeshjes me AEL LImassol në Qipro. Lajmi u mbajt konfidencial deri në përfundimin e ndeshjes, e cila u mbyll me fitoren minimale të vendasve.
Ka qenë Mjeku i Vllaznisë Ilirjan Haxhaja ai aë ka dhënë detaje lidhur me këtë ngjarje të pazakontë, që sipas tij, është virozë e stinës. Përmes rrjeteve sociale, Haxhaja jep edhe sot informacion teksa thotë se situata shëndetësore e sportistëve është e stabilizuar.
Megjithatë, në pak rreshta ai ka dashur të evidentojë edhe një futbollist, i cili nuk donte t’ ia dinte edhe pse ishte në serum, siç duket në një video të shkurtër që Haxhaja ka shpërndarë në rrjetet sociale.
“Sot situata shëndetësore e sportistëve është e stabilizuar, ku vazhdojnë trajtimin e mjekimit nga viroza e stinës. Të punosh me Fjori Jonuzi është nder dhe lojtar që dëshirojnë të gjithë ekipet. Faleminderit Jonuz! “Nami mu ba, unë do luaj”, kjo ishte shprehja kur unë po e mjekoja. Respekt 🔴🔵”, shkruan mjeku i Vllaznisë Ilirjan Haxhaja. /ShkodraWeb/