Malësia e Madhe vitet e fundit është kthyer në një fidanishte për furnizimin e ekipeve shqiptare të futbollit me talente. Të lindur e formuar në Shqipëri si sportistë apo në vende të ndryshme të Europës, herë pas here spikasin emra që afrohen edhe në radhët e ekipeve tona kombëtare.
Talenti më i fundit nga radha është Orion Elezaj, i lindur në Itali por me origjinë nga Pjetroshani i Kastratit. 17 vjeçari është gardian i portës së ekipit Vis Pesaro me ekipin e të rinjve, pra në një grupmoshë më lart se e tij. Mesa duket, ai ka tërhequr vemendjen edhe të teknikut Reja.
Mësohet se Orion Elezaj është ftuar në ekipin e parë që drejton pikërisht Reja. Sigurisht, do të jetë një testim nga afër i aftësive të këtij portieri të ri e premtues, por gjithsesi është një start i mirë për vijimësinë e karrierës.
Porteri shtatlartë 192 cm, shquhet për fizikun e tij por edhe reflekset si portier. Në një intervistë për mediat italiene, disa vite më parë Orioni do të theksonte se babai i tij, Albert Elezaj, ishte ai që i ushqeu dashurinë për futbollin.
Malësia e Madhe vazhdon kështu traditën pas emrave të mëdhenj si Hysaj, Bala, Broja, Hebaj, Çokaj, Mitaj me shumë mundësi do të rreshtohet edhe Elezaj. Suksese dhe sa më lartë në karrierë kampion! /ShkodraWeb/