Kisha dëgjuar të flitet shumë për destinacionin e ri turistik të lumit të Shalës dhe, pas eksperiencës tonë në fundjavë, mund të them se rrugëtimi për në destinacion, përgjatë kaskadës së lumit Drin, mbetet vërtetë një nga eksperiencat më interesante për adhuruesit e natyrës. Por, mbërritja tek “oazi i vogël me ngjyra kristali” është veçse përmbyllja e një aventure që fillon me infrastrukturën e lodhshme dhe sfilitëse drejt “parajsës”.
Rruga është kostoja që duhet të paguajnë turistët, për të parë këtë mrekulli që zbret nga bjeshkët dhe sjell me vete ujin e ftohtë dhe ngjyrat dehëse të alpeve. Segmenti i fundit i rrugës, nga liqeni i Vaut të Dejës deri tek liqeni i Komanit, të tund e të shkund mirë e mirë, aq sa ta kujtosh gjatë si rrugë. Dhe nuk bëhet fjalë për një rrugë të harruar nga koha apo të zbuluar kohët e fundit, por për një segment që përshkohet midis dy prej hidrocentraleve më të mëdhenj, investime strategjike në vend.
Mund të jenë rreth 20 apo 30 km të fundit që e zgjasin rrugëtimin me një orë apo më shumë, duke të heq dëshirën për tu rikthyer në Koman. Kalimi përmes tunelit, përpara hyrjes në port, të përball edhe njëherë me kaosin që mbizotëron trafikun në Shqipëri. Në mungesë të sinjalistikës, shkëmbimi i makinave brenda tunelit funksionon njëlloj si në shtigjet e malit, ku makinat duhet të bëjnë indietro për ti hapur rrugën njëra tjetrës. Pasi përfundojnë manovrat e shkëmbimit të makinave brenda tunelit, çudia shtohet akoma më shumë kur gjen përballë makina të parkuara brenda tunelit.
Porti i Komanit, ku nisen tragetet për në Valbonë dhe varkat për tek lumi i Shalës, ka një mbingarkesë dhe një organizim të çorganizuar, aq sa momentin e parë të ngjan se ke mbërritur në Indi e jo në veri të vendit. Zbritja nga furgoni të jep ndjesinë e çlirimit, se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Vështrimi drejt liqenit depërton thellë midis të kuqes së flamurëve, që valviten nëpër varka bashkë me jelekët e shpëtimit, nën tingujt e xhamadanit vija vija në sfond… ai momenti i përshtjellimit mdis dy ndjesive “o sa mirë me kenë shqiptar” dhe “ky vend nuk bëhet”.
Në mungesë të orareve fikse, pritja në port është faza vijuese e udhëtimit, pasi jo të gjithë “shokët e furgonit” kanë mbërritur në vendin e diktuar nga guida. Gjithçka është brenda pritshmërive për turistët shqipfolës, me shumë gjasa një eksperiencë e re për të huajt. Por, në momentin që varka nis lundrimin në liqen, mbi ujin që ndryshon ngjyrë sipas rrezatimit të diellit, rrethuar prej naltsive plot gjelbërim, shumë shpejt lodhja harrohet dhe adrenalina rritet bashkë me shpejtësinë e varkës mes tingujve të muzikës patriotike në sfond.
Lundrimi në Koman të përcjell ndjesinë e të qenurit në mes të parajsës, një ndjesi që vështirë se mund të përshkruhet me fjalë apo me foto. Sinjali i parë i mbërritjes në lumin e Shalës përçohet nga syri, aty ku nuancat e jeshilta të ujit të liqenit fillojnë e zëvendësohen me nuancat blu të kristaltë të ujit të tejdukshëm që buron nga bjeshkët. Eksperiencë shumë e bukur për t’u jetuar, sidomos kur mbërrin shpejt në mëngjes dhe e shijon të plotë zhvendosjen e diellit nga njëri skaj i oazit në tjetrin. Udhëtimi bëhet akoma më i bukur kur gjithçka e ndan me njerëz të bukur.
Pjesa tjetër e udhëtimit duhet përjetuar vetë, atje në freskinë e lumit të Shalës, rrethu mes ngjyrash dhe hijesh madhështore që krijohen natyrshëm nga naltësitë në luginën e bukur të Shoshit. /Nga Eli GOLEMI, publikuar në Facebook së bashku me fotot ilustruese/