Një vajzë e mitur e moshës 13 vjeçare ka humbur jetën këtë të martë, pasi u mbyt në ujërat e lumit Buna, në afërsi të fshatit Oblikë të Njësisë Ana e Malit. E mitura me inicialet Z.L, ishte duke u larë në lumë me familjarët e saj.
Burimet thanë se papritur, vajza e vogël ka humbur jetën teksa lahej në lumë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj, teksa ka marrë edhe dëshminë e familjarëve të së ndjerës.
“Kanë ardhur për tu larë. Nuk ka ditur notin, tamam saktësisht nuk di të them. E ka marrë rrjedha e lumit. Jam pa fjalë. Ishin tre fëmijet, dy vajzat dhe djali. Nuk kam çfarë të them. Nuk kanë ardhur shpesh për tu larë në këtë zonë. Kanë qenë të tre dhe një person tjetër, por saktësisht nuk mund ta them”, ka treguar babai i 13-vjeçares.
NJOFTIMI I POLICISË
Shkodër/ Informacion paraprak
Më datë 27.07.2021, rreth orës 15:45, në lumin Buna, në vendin e quajtur fshati Zues, Shkodër, është mbytur duke u larë në lumë, shtetasja Z. L., 13 vjeçe, banuese në Oblikë, Shkodër.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.