Fishta i rrethuem! Me 23 tetor bëhen 150 vjet nga lindja e At Gjergj Fishtës. Vërtetë që u bë shumë mirë që u rikonstruktua dhe tashmë është një atraksion turistik, shtëpia në Fishtë të Zadrimës e Ndokës së Simon Ndocit, ku i patën lindur edhe tre djem e një vajzë, ndër to në 1871-in edhe Zekë Ndoci.
Po shtëpia e vërtetë ku Zekë Ndoci u bë Gjergj Fishta i madh, pse nuk merr vëmendjen që meriton?! Ky është Kuvendi Franceskan i G’juhadolit, në të cilin, pas shkatërrimeve gjatë komunizmit, ka mbetur vetëm krahu i ri, cili u projektua në vitin 1933 nga vetë At. Gjergj Fishta.
Më herët, në vitin 1906 Provinca, Hospici e G’juhadolit u bë Kuvend me të drejta të plota. Guardiani i parë ishte Fra Gjergj Fishta. Ndërkohë, në vitin 1902 Fra Gjergj Fishta, si drejtor i shkollës, e bëri gjuhën shqipe gjuhë zyrtare në shkollën françeskane.
Sot Kuvendi Françeskan i projektuar nga Gjergj Fishta, është i rrethuar me një mur të lartë, pa asnjë informacion për kalimtarë dhe turistë të shumtë që kalojnë në këtë rrugicë historike të Shkodrës. Fishta i madh ka mundësi dhe është nevojë të jetë i dukshëm dhe i prekshëm për çdo shkodranë e shqiptar. Mjaft e mbyllëm përgjatë diktaturës, e më pas edhe me monumentin (i diskutueshëm edhe artistikisht) që qëndron i rrethuar me disa të tjerë në qendër të Shkodrës.
Mirë do ishte që në këtë 150 vjetor të lindjes së poetit të madh shqiptar të hiqej muri dhe të hapte dyert shtëpia e vërtetë e At Gjergj Fishtës, ku ai jetoi, krijoi dhe u preh si Gjergj… Nese jo, të paktën të vendosim një pllakë me informacionin e nevojshëm…shembujt mund t’i gjejmë edhe në Korçë, në një shtëpi si kjo ish- qendër e shtypit e partisë, paradoksalisht e po asaj partie që dihet sa e vlerësoi At Gjergj Fishtën… /Nga Florian BJANKU, publikuar në Facebook/