Policia vendore e Shkodrës ka ushtruar një kontroll në liqenin e Komanit për mjetet lundruese pa licensë në këtë liqen. Nga kontrolli i forcave të policisë bashkë me efektivët e kufirit dhe struktura tjera policore janë bllokuar tre mjete lundruese.
Po ashtu policia vendore e Shkodrës ka proceduar në gjendje të lirë tre shtetas për ushtrim të aktivitetit pa licensë të mjeteve lundruese. Liqeni i Komanit në këtë kohë ka një dyndje të madhe turistësh të huaj por edhe pushues vendas të cilët i drejtohen kryesisht lumit të Shalës por edhe drejt Valbonës në Tropojë duke kaluar nga liqeni i Komanit në Fierzë apo edhe pika të tjera turistike që janë rreth këtyre ujrave.
Shpesh herë është ngritur alarmi i transportimit të pushuesve dhe turistëve nga mjete lundruese të pasigurta dhe që janë kthyer në një rrezik duke bërë që policia të ushtrojë këto kontrolle dhe të bllokojë tre prej mjeteve.
NJOFTIMI I POLICISË
Ushtronin aktivitet tregtar pa licencë në liqenin e Komanit, ndëshkohen më masë administrative 7 pronarë të mjeteve lundruese.
4 prej tyre procedohen penalisht, iu bllokohen edhe mjetet lundruese që kishin në përdorim.
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, në zbatim të planit të masave “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe të argëtimit” janë ushtruar kontrolle në liqenin e Komanit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në digën e liqenit të Komanit janë evidentuar 7 shtetas që ushtronin aktivitetin me mjete lundruese, për të cilat nuk dispononin dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit. Për secilin prej pronarëve të mjeteve lundruese është vendosur masa administrative 10.000 lekë.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë, 4 prej tyre, shtetasit: M. K., 29 vjeç banues në Vau i Dejës, N. M., 22 vjeç banues në Vau i Dejës, A. M., 27 vjeç, banues në Durrës dhe E. Q. 46 vjeç banues në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, për veprat penale ”Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm“. Gjithashtu, këtyre shtetase iu bllokun edhe mjetet lundruese që kishin në përdorim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.