Sigurisht që ka një projekt! Një projekt që u shfaq para zgjedhjeve të 25 prillit. Ateherë kur Edi Rama deklarohej hapur për bashkëpunim me opozitën, edhe kur kishte mjaft garanci se do të fitonte mandatin e tretë. Po, i kishte këto garanci dhe jo vetëm përmes patronazhistëve por një sistemi të tërë publik e privat që kishte në sherbim për të arritur qëllimin, miliona- miliardat e buxhetit të shtetit por edhe të donatorëve të Brukselit për “zhdukjen” e pasojave të termetit.
Në fjalimin që shumë kush e cilësoi të “fitores”, ku edhe shkeli rregullat rigoroze të distancimit social për shkak të pandemisë, Rama përsëriti dëshirën e tij tashmë për “bashkëpunim pa kushte dhe asnjë limit me opozitën”, duke u kujdesur të specifikojë se LSI- ja nuk konsiderohet prej tij opozitë. E kështu, nisën edhe lëvizjet në funksion të këtij projekti që duket deri edhe misterioz për shumëkënd.
Ilir Metën kryeministri mund ta shkarkonte që herën e parë në parlament. Votat i kishte, edhe më të sigurta se herën e dytë por u tërhoq. Sipas gjasave, projekti nuk ishte formësuar akoma ose mbase nuk kishte gjetur akoma partner/ët për ta realizuar. Shkarkimi i Metës u realizua me shumë ngutje, ndoshta edhe me qëllim në limite të diskutueshme të kushtetutshmërisë, për shumë për të hedhur një hap drejt projektit se për të lënë një shteg hapur për mos shkarkimin përfundimtar të Metës nga Gjykata Kushtetuese.
Siç ndodh rregullisht, me rregullin e një ore zviceriane, në krah dhe pjesë e natyrshme e projektit, ishin edhe diplomatët e huaj, sidomos ata të partnerëve strategjikë afatgjatë të vendit tonë. Pas Metës, e kishte radhën Sali Berisha. Duke mos patur asnjë pozicion publik e politik nga 2013- a (prej shkurtit 2019 as deputet), Berisha duhej goditur nga jashtë. Gjithçka u parapërgatit me largimin e një deputeti përmes dorëheqjes, nga mandati të cilit i kishin mbetur veçse pak muaj por edhe nga ai që fitoi në Shkodër me 25 prill.
Shpallja “non grata” e Berishës ishte hapi i radhës i projektit por me shumë mundësi nuk ishte parashikuar se ish- presidenti do të hiqej menjëanë pas kësaj mase. Përkundrazi, ai menjëherë paralajmëri padi në një gjykatë të Francës, duke sfiduar sekretarin Blinken që të paraqesë prova për arsyet e shpalljes “non grata”. Mesa duket në këtë pikë, projekti duhej ridimensionuar ose ndryshuar pak.
Presidenti Meta i shkarkuar tashmë nga kryeministri Rama, në vend që të shtonte opozitarizmin e tij ndaj kësaj mazhorance e vetë kreut të qeverisë, u ngujua në heshtjen e tij. Monika Kryemadhi, me udhëtime të shumta jashtë vendit, në Europë e SHBA, papritmas u shfaq si “Zonjë e parë” në krah të bashkëshortit, duke u izoluar edhe ajo në heshtje publike. Çuditërisht u shfaq në Hungari, Budapest edhe si pjesë e një eventi ku nuk mungonte as Erion Veliaj, në krah edhe të bashkëshortit president.
Edhe çeshtja e “30 qershorit” është komponent i këtij projekti. Padyshim mund të përdoret si bonus, si tregues i vullnetit të palës/ve. Për të fituar kohën e nevojshme, u fut në lojë Komisioni i Venecias, të cilës Gjykata Kushtetuese iu drejtua për opinion miqësor për zgjedhjet e kaluara vendore. E përgjigja e mundshme parashikohet të vijë jo para 15 tetorit. Në të njëjtën linjë, futet edhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, i cili siç jemi mësuar ta shohim ne shqiptarët, nuk ishte as mish e as peshk.
Pak orë më parë, duket se projekti hodhi edhe hapin tjetër, mbase më të rëndësishmin. Ambasadorja amerikane ngjiti shkallët e selisë blu dhe u takua me kryetarin e PD- së Lulzim Basha. Si edhe në raste të tjera, mund të mos fliste për gazetarët pas takimit. Por jo. këtë herë e tha qartë se kishte kërkuar nga Basha largimin si deputet të Berishës nga PD- ja në shtator duke përmendur edhe “barin” e famshëm.
Në këtë projekt ka lëvizje që duken, që nuk shihen por edhe “rrjedhin”. Një ndër to është lajmi për takime të emisarëve gjermanë me palët në kërmim të një modaliteti bashkëpunimi PD- PS, bashkëpunim që nuk ka kufizime apo limite, deri edhe në bashkëqeverisje. Sigurisht, askush nuk e pranoi si@ edhe nuk e mohoi këtë “lajm”.
Pas këtyre zhvillimeve të fundit, duket se edhe Lulzim Basha ka zgjedhur heshtjen. Heshtja e tij mund të intepretohet në shumë mënyra. Heshtje që tregon se nuk ka pranuar kërkesën e ambasadores amerikane, e cila pas kësaj zgjedhje të Bashës u detyrua ta bëjë publike kërkesën që iu refuzua. Mund të jetë edhe heshtje në pritje të ndonjë interpretimi me “iniciativë” të KQZ- së lidhur me mandatin e Berishës si deputet. Por mund të jetë edhe një heshtje reflektimi, këshillimi apo kristalizimi të një qendrimi përfundimtar. Gjithsesi, është një heshtje që shumë demokratë, të të gjitha niveleve, po i kërkojnë publikisht e privatisht ta thyejë.
Po, ka një projekt. Gjërat lidhen, edhe pse jo shumë dukshëm. Ai po zhvillohet si ajsbergu, duke nxjerrë herë më shumë e herë më pak sipërfaqe mbi ujë. Të gjithë emrat që përmenden apo citohen, janë thjeshtë instrumente të funskion të realizimit të këtij projekti. Një projekt që i ngjan një njeriu, i cili transformohet, ndryshohet por edhe mund të dështojë siç dështojnë humanët zakonisht. Ajo që duhet parë, është impakti mbi jetët e shqiptarëve të thjeshtë. E për këtë duhet pritur pak, mbase edhe më shumë se pak… /Nga Blerti DELIJA/