Ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare, ish deputeti i Partisë Demokratike Ahmet Osman Osja. Pinjolli i një prej familjeve më në zë të qytetin e Shkodrës, dha kontributin e tij në shumë fusha e kryesisht në ato të shkencës ku filloi punën si lektor në Universitet, diplomacisë dhe mësimdhënies.
U angazhua në proceset demokratike që në fillimet e saj dhe përfaqësoi të djathtët në legjislaturën e viteve 92 -96. U ba zani i fuqishëm të gjithëve atyre që i besuan votën duke e renditur ndër pesë deputetet më të votuar në Parlamentin e atyre viteve. Pati kurajon qytetare që në shumë seanca parlamentare jo vetëm të kërkoj të drejtat e individit por edhe të kërkoj me forcë miratimin e ligjeve per të drejtën e pronësisë, duke nxitur debatin dhe diskutimet e shumta.
Për punën e tij është vlerësuar me një sërë çmimesh si:
Mjeshtër i sportit në vite të Alpinizmit.
Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës.
Urdhëri Naim Frashëri i kl. II .
Aktiviteti i tij shkencor u drejtua në fushën e biologjisë kryesisht në studimin e bimëve makrofite në ujërat e Liqenit të Shkodrës, Bimët e rralla, relikte, endemike në Alpet Shqipëtare, Alpet Ilirike dhe të maleve tjera Shqipëtare. Bimët mjaltoredhe mjeksore e aromatike të veriut. Shfaqi interes të veçantë për nyjen Hidrike të Veriut. Studioi ekosistemin ujor, Bunë- Dri – Kir dhe Liqenin e Shkodrës). I veçantë do të vlerësohet studimi i shndërimit të Lumit të Bunës në lum të lundrueshëm.
Është botues i disa librave me karakter shkencor dhe hulumtues si:
-Në të fshehtat e Florës Shqipëtare
-Të reja në Floren e Alpeve Ilirike.
-100 lule, 100 bimë në Alpet Ilirike.
-Themelet e një Medreseje, bashkëautorë me Eljaz Krajen
-“Bimët mjaltore të Postribës”
Është themeluesi dhe drejtuesi i parë medresesë “Haxhi Sheh Shamija”, ku vuri theksin për drejtimin në profilin shkencor të kësaj shkolle. Shkodra humbi sot jo vetëm një njeri të dijes por edhe një ndër qytetarët më të denjë të saj.
Ndërsa në një publikim në Facebook, Dega e PD Shkodër shkruan: Partia Demokratike dega Shkodër, përcjell me trishtim lajmin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ahmet Osman Osja. Ish- deputeti Osja, vijoi traditën e familjes së tij fisnike duke kontribuar gjerësisht për Kombin. Ishte ndër qytetarët e parë që gjetën kurajon për të sjellë ndryshimet demokratike në vend. Me fjalën bindëse të tij dhe me mençurinë e qetësinë karakteristike u ba personi rreth të cilit u mblodhën me mijëra vetë duke qenë kështu një ndër demokratët më të dashtun e më të respektuar.
Ahmet Osja, përfaqësoi Partinë Demokratike në legjislaturën e vitetve 92’- 96, si një ndër deputetët më të votuar në rang republike. Fjalimet e tij do të mbahen mend për theksin që vendosi në gëzimin e të drejtave të individit e kryesisht në të drejtat pasurore. Ishte deputeti që dëgjoi çdo individ dhe iu gjend pranë çdo kujt, e që me durim e me thjeshtësi u përpoq për realizimin e të drejtave të gjithsecilit.
Kontributet e tij kanë vijuar pandërprerje sikurse do të vijojnë si udhëzime përherë përmes kujtesës dhe botimeve të shumta që na la si trashëgimi e dijes së tij të gjerë dhe hulumtimeve në terren.
Partia Demokratike, pati fatin të ketë si përfaqësues të saj njeriun e ditur, të urtë e diplomat e ne do ta vlerësojmë përherë profesor Ahmetin për gjithçka që na ofroi. Në këtë ditë jemi pranë familjes, dashamirësve dhe të njohurive të tij. /Publikuar në Facebook nga PD, Dega Shkodër/