Pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se “vetëm Zoti mund ta ndalojë që të futet në Kuvend”, ka reaguar ambasada amerikane. Zyra e shtypit të Ambasadës së SHBA në një reagim për “Panorama” thotë se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i pandryshuar dhe se do të përdoren të gjitha instrumentet në dispozicion për tu përballur me korrupsionin.
Berisha duke iu referuar deklaratave të ambasadores Yuri Kim, tha se ajo “nuk ka asnjë provë përveç kërcënimeve me dogmën e barit, siç e ka përdorur Enver Hoxha”.
Ndërsa, Zyra e shtypit e ambasadës amerikane në reagim thotë: “Midis urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë“.
Konferenca për media e mbajtur sot nga Berisha vjen një javë pasi ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, kërkoi që ai të mos jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm, pas një takimi që ajo pati me Lulzim Bashën.
Po ashtu ambasadorja e SHBA-ve në një editorial për “Panorama” u bëri thirrje Ramës dhe Bashës që të kontrollojnë listat dhe të bëjnë kompromis mes tyre. Pavarësisht qëndrimit të Yuri Kim, Sali Berisha ka deklaruar se do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm edhe më i motivuar se më parë.