Sigurisht që “patriotizmi” i shfaqur përmes Goran Bregoviç i ftuar në një festë birre në Korçë, nuk doli në skenë rastësisht. Realiteti shqiptar, sidomos ai politik, kishte nevojë për pak relaks, freskim me ndonjë shishe e krikëll birrë, të ulur diku në bregdeti para donjë televizori apo celulari, për të shijuar “kacafytjen virtuale” në me shqiptarëve “të mirë” dhe “të këqinj”. Pra mes nacionalistëve dhe internacionalistëve.
Si çdoherë, qëllimi u arrit. Për disa ditë, mbase edhe javë, shqiptarët nuk kanë më asnjë halle telash. Madje, nuk i besdisim më as temperaturat e larta që po i sillen 40- ës, nuk kanë më as problemin covidian, nuk kanë as shqetësime për mundësitë e pakta për disa ditë pushime si njerëzit e madje, nuk kanë problem as çfarë konsumojnë mbi tavoline. Ndër këto “viktima”, është edhe autori i këtyre rreshtave, që për shkak të “krimbit të zanatit”, nuk i shpëtoi joshjes të shkrujë diçka.
Në fakt, shumë shqiptarë, duke gjykuar nga mediat sociale, duket e kanë marrë me sportivitet, si një mundësi më shumë për të shtyrë apo vrarë kohën. Maksimumi, po shkohet deri tek batutat e memet, ndërsa vetë Korça e korçarët iu përgjigjen ftohtë jenishehrëve e gjuzëve që i ftuan të protestojnë për Bregoviçin si “kodra pas bregut”. Ndjesia nacionaliste, lidhur me “rolin frymëyues” e nëse doni deri “shovinist” të Bregoviçit, ishte me e fteskët në vitin 2006. Veç ndereve të tjera, atij iu dhe edhe “Çelësi i Tiranës”.
Sot, kanë kaluar rreth 15 vite nga ajo kohë e duhet se dikush, për interesa të kuptueshme, ka vendosur ti fryjë sërish zjarrit nacionalist. Madje, po kthehet në “kauzë nacionaliste” ftesa apo prania e Bregoviç në një event privat, siç eshtë festa e birrës në Korçë, organizuar nga një kompani jo shtetërore. Në 2006- ën, prania e këngëtarit që nxit polemika ndër shqiptarët, ishte përmes një enti publik siç ishte Bashkia e Tiranës, e cila i dhuroi “çelësin” që mesa duket edhe sivjet do ti hapë çdo derë në Shqipëri.
“Lufta brenda llojin është më e rrezikshmja” e mesa duket këtë herë nacionalizimi po grishet nga konkurrenca e biznesit, duke luajtur edhe mbi ndjesitë e shqiptarëve. Kjo tezë është teorike edhe pse pas disa muajve, do të ishte me interes të shihen bilancet ekonomike të kompanisë së birrës që organizon eventin por edhe të rivalëve të saj të drejpërdrejtë. Me shumë mundësi, e gjithë kjo “stuhi në gotë” do të lërë gjurmë lehtësisht të identifikueshme.
Shtatori nuk është larg dhe me shumë gjasë, “krismat” ndaj Bregoviç do të dëgjohen në realitetin tonë dhe politikë sapo të riaktivizohet parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Sepse nuk ndodh asnjëherë që diçka të ndodhë në Shqipëri “pa i shtyrë unët e flakëve” edhe politika. Për përfitime të njëanshme, të përbashkëta apo edhe thjeshtë për të nanuritur ata që duhet të vihen përsëri para “faktit të kryer”. /Nga Blerti DELIJA/