Kastrioti ka nisur dje javën e tretë të përgatitjeve në kompleksin Kamzës. Skuadra krutane do të vazhdojë stërvitjen deri të shtunën në këtë fushë, pasi më pas do të spostohet në Pogradec, për t’i dhënë dorën e fundit fazës përgatitore në prag të startit të kampionatit.
Ndryshe nga stërvitjet e mëparshme, dje ka pasur zhvillime sa i takon kontingjentit të lojtarëve që janë paraqitur në stërvitje, pasi mesfushori shkodran, Edon Hasani, i është bashkuar më në fund grupit. 29-vjeçari kishte arritur akordin prej kohësh me krutanët, por dalja në stërvitje ka ndodhur vetëm dje.
Seanca e tij e parë me krutanët ka qenë kryesisht me vrapime dhe i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, ndërsa gradualisht pritet që të marrë formën optimale.