Pas kërkesës së dytë dërguar ditën e djeshme, Komisioni i Prokurimit Publik i është përgjigjur ShkodraWeb Media. Lidhur me vonesën në kthimin e përgjigjes, KPP thotë se ka patur një problem teknik të sistemin e postës elektronike të instistucionit. Në fakt, kjo duket disi e çuditshme, duke patur parasysh se menjëherë pas publikimit të lajmit të djeshëm nga ShkodraWeb dhe disa media të tjera, KPP reagoi menjëherë, duke lënë të kuptohet se nuk ka qenë aq shumë problem i sistemit të komunikimit përmes postës elektronike.
Për hir të realitetit, ashtu siç kishte premtuar ditën e djeshme, KPP ka kthyer përgjigjen për ShkodraWeb, ku ai që vlen është vetëm paragrafi i fundit i përgjigjes ku kuptohet shumëçka lidhur me procesin e ankimimit për ankandin e KF Vllaznia sh.a. nga Almiro Gurakuqi. Në fakt, pyetjet e ShkodraWeb kanë qenë të qarta, por përgjigja është në vija të përgjithshme, duke lënë të kuptohet se akoma nuk ka nisur shqyrtimi i ankimimit të Gurakuqit.
“Në lidhje me shqyrtimin administrativ të ankesës suaj ju sqarojmë, se aktualisht për shkak të fluksit të madh të ankesave dhe ngarkesës si rrjedhojë e problematikave të tyre, kapaciteteve jo të mjaftueshme të burimeve njerëzore në raport me numrin e ankesave, si dhe kompleksitetit te çeshtejs objekt ankimi, Komisioni i Prokurimit Publik ka ende ne proces shqyrtimin në themel të kësaj ankese. Me përfundimin e këtij procesi vendimi përfundimtar do ti dërgohet pales ankimuese dhe do te publikohet ne faqen zyrtare kpp.al, ku publikohet e gjithe veprimtaria e ketij institucioni bazuar ne parimet open data.”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Prokurimit Publik. E thënë ndryshe, nuk ka nisur akoma shqyrtimi i ankimimit të ankesës së Almiro Gurakuqit nga KPP dhe nuk ka shumë gjasa që të ketë një përgjigje të shpejtë për privatizimin e Vllaznisë.
PËRGJIGJA E KPP- së PËR SHKODRAWEB MEDIA
Lidhur me kërkesën tuaj për informacion ju bëjmë me dije për sa më poshtë:
Në datën 02.06.2021 është depozituar pranë Komisionit të Prokurimit Publik ankesa e bashkimit të kandidatëve blerës “Almiro Gurakuqi” P.F& “Carpathia Albania” shpk me nr.973 prot datë 02.06.2021.
Me vendimin nr.973/1 prot datë 04.06.2021 Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur:
1. Të kalojë për shqyrtim ankesën e paraqitur nga bashkimi i kandidatëve blerës “Almiro Gurakuqi” P.F& “Carpathia Albania” shpk, për procedurën e ankandit publik “Procedurë e hapur”, me objekt “Bashkia Shkodër shet me proçedurë ankandi aksionet e Klubit të Futbollit “VLLAZNIA” sh.a, në masën 100%.”, me vlerë fillestare 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë, parashikuar për tu zhvilluar në datën 09.03.2021, nga autoriteti shitës Bashkia Shkodër.
2. Të urdhërojë pezullimin e procedurës së mësipërme të ankandit dhe moskryerjen e asnjë veprimi nga autoriteti shitës deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar
3. Autoriteti Shitës të dërgojë menjëherë pranë Komisionit të Prokurimit Publik informacion të hollësishëm mbi procedurën e mësipërme të ankandit, ku të pasqyrohet procesi i shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave; të jepen argumentimet përkatëse mbi pretendimet e bashkimit të kandidatëve blerës “Almiro Gurakuqi” P.F& “Carpathia Albania” shpk, shoqëruar me dokumentacionin e plotë të dosjes së kësaj procedure, si dhe të jepet informacion i hollësishëm, vërtetuar me dokumentacion, për trajtimin e ankesës.
4. I gjithë informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar, të paraqitet jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së këtij vendimi dhe të jetë shoqëruar me një Proces-Verbal në të cilin të pasqyrohet emërtimi i dokumentave me numrin e fletëve përkatëse.
Autoriteti shitës ka depozituar informacion ne rruge zyrtare lidhur me procedurën e ankandit objekt ankimi.
Në lidhje me shqyrtimin administrativ të ankesës suaj ju sqarojmë, se aktualisht për shkak të fluksit të madh të ankesave dhe ngarkesës si rrjedhojë e problematikave të tyre, kapaciteteve jo të mjaftueshme të burimeve njerëzore në raport me numrin e ankesave, si dhe kompleksitetit te çeshtejs objekt ankimi, Komisioni i Prokurimit Publik ka ende ne proces shqyrtimin në themel të kësaj ankese. Me përfundimin e këtij procesi vendimi përfundimtar do ti dërgohet pales ankimuese dhe do te publikohet ne faqen zyrtare kpp.al, ku publikohet e gjithe veprimtaria e ketij institucioni bazuar ne parimet open data.
Me keqardhje duhet të pohojmë se KPP nuk i ka kthyer përgjigje asnjërës nga pyetjet që ShkodraWeb i kishte drejtuar prej mëse 3 javësh. Kjo është e kuptueshme, teksa dosja e ankimimit të Almiro Gurakuqit nuk është marrë akoma në shqyrtim. Në këto kushte, e dëmtuar është KF Vllaznia sh.a. që në këtë fazë përgatitjesh për sezonin e ri futbollistik, nuk ka akoma një përgjigje: Do të vazhdojë të jetë shoqëri aksionare shtetërore apo do të jetë shoqëri aksionare private?! Nuk e dimë se kujt i intereson kjo zvarritje e pakuptimtë, por tashmë dikush duhet të ndërhyjë për të përshpejtuar procesin. I vetmi epror është kryeministri Edi Rama, i cili duket se nuk ka ndonjë interesim për këtë çeshtje, aq më shumë kur mes zjarreve dhe gushtit të pushimeve, vështirë të kujtohet për ankandin e KF Vllaznia sh.a. /ShkodraWeb Media/