Nga Astrit BUSHATI
Ish- deputet dhe ish- kryetar i PD- së Shkodër
Megjithëse njiheshim nga larg, asnjëherë nuk kishim patur komunikim me njëri- tjetrin. Ishte një ditë maji e 2009- ës kur për shkak të detyrës, do njihesha me Gëzim Dibren, njerin nga kandidatët për deputet të PD- së, në Shkodër.
E pimë një kafe në qendër të qytetit, së bashku me Agronin, mikun e përbashkët tonin. Nuk ndenjëm shumë gjatë në këtë takim të parë. Pastaj takimet tona do të ishin pothuajse të përditshme. Çdo moment i bashkëpunimit tonë dhe i miqësisë sonë të krijuar, deri në ndarjen e tij të parakohëshme nga jeta, ka qenë një zbulim që më ka lënë shumë mbresa.
Duke qenë i “pakontaminuar” nga politika, sjellja e tij ishte e veçantë nga të tjerët që në fushatë elektorale. Qasja e tij ishte shumë njerëzore dhe e sinqertë me njerëzit. Ishte një konfrontim i drejtpërdrejtë dhe pa lajkat e zakonshme të fushatës. Premtimet e tij ishin të pakta dhe serioze ose me saktë, ishin impenjim për tu realizuar.
Edhe në sjelljen e tij të mëvonshme si deputet kishte veçanti. Ishte shumë serioz dhe i pakursyer në ushtrimin e detyrës. “Kodi rrugor” ku ishte relator, ishte një punë e përditshme e përkushtuar dhe shumë profesionale, që fatkeqësisht, mbeti e papërfunduar për shkak të sëmundjes.
Ndërhyrjet e tij pranë qeverisë, Kryeministrit e ministrave, ishin vetëm për problematikat e Shkodrës dhe asnjëherë ndërhyrje të rëndomta për vende pune etj. I veçantë, personal dhe financiar ka qenë kontributi i Gëzimit, në përmbytjet e vitit 2010.
Përveç sa më sipër, zbulova një njeri me humor të veçantë dhe një njeri që jetonte dhe gëzonte çdo moment të jetës së tij.
Një ndërmarrës i lindur, që së bashku me miqtë e shokët e tij, filluan një biznes të vogël dhe që sot është nga bizneset kryesore te qytetit. Mendja e tij ishte gjithnjë në punë, për ndermarrje të reja biznesi në qytetin tonë. Ndërmarrje këto, që kërkonin jo vetëm impenjim financiar, por kryesisht impenjim intelektual e profesional, siç ishte projekti i fabrikës së profileve metalike që do ndërmerrte në të ardhmen.
Fatkeqësisht, megjithë përpjekjet e tij shumë kurajoze por dhe të mjekëve, Gezimi u nda nga jeta në moshë 55 vjeçare, duke lënë jo vetëm familjen e tij me bashkëshorten dhe vajzën e mitur, por një jetë plot projekte për familjen e tij por dhe për komunitetin.
I paharruar qoftë kujtimi i Gëzimit, si bashkëshort e prind, si qytetar i impenjuar, si intelektual e ndërmarres i shquar. /Publikuar në Facebook/